Shqipëria synon ta mbushë boshllëkun nga zbehja e përkrahjes perëndimore për Kosovën
Qeveria e Shqipërisë ka planifikuar ta ngrejë një task-forcë, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë, që për efekt ka pasur tërheqjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga disa shtete. Politologët e kanë parë këtë si mësymje e Tiranës zyrtare për ta mbushur boshllëkun nga zbehja e përkrahjes perëndimore për Kosovën.
Gent Cakaj, ministër në detyrë i Shqipërisë, e ka komunikuar një ditë më parë iniciativën.
Që nga gjysma e vitit të shkuar, diplomacia kosovare gjithë energjitë i ka fokusuar në mbrojtjen e njohjeve, por edhe në bindjen e partnerëve të saj për ta mbështetur në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, e veçmas në UNESCO e INTERPOL. Shtatë vende kanë tërhequr vendimet e mëhershme për njohjen e Kosovës. Një nga to është Liberia, e cila e kishte njohur shtetin më të ri të Ballkanit tre muaj pas pavarësisë. Të tjera vende që kanë revokuar vendimet janë: Guinea Bissau, e cila njohjen e kishte bërë në 2011-n, Sao Tome dhe Principe, Burundi dhe Papua New Guinea, që vendimet i kishin marrë në 2012-n, sikur edhe Lesotho, që të njëjtën gjë e kishte bërë në 2014-n dhe Suriname në 2016-n. Dy prej tyre i kanë rikthyer sërish njohjet. Pishman ishin bërë Guinea Bissau dhe Liberia.
Gëzim Visoka është ligjërues i shkencave politike në Dublin City University në Irlandë. Iniciativën e ministri Cakaj për të themeluar një task-forcë në mbështetje të fuqizimit të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës e ka konsideruar lajm të mirë dhe premtues për të balancuar fushatën agresive të Serbisë për çnjohje dhe mosanëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)