Shqipëri

Shqipëria në listën e vendeve ku Rusia shpenzoi mbi 300 milionë dollarë për të ndikuar në zgjedhje 

Duke cituar Komunitetin e Inteligjencës amerikane, CNN shkruan se një zyrtar i lartë i administratës Biden, ka thënë se që nga viti 2014, Rusia u ka transferuar fshehurazi mbi 300 milionë dollarë partive të huaja politike anembanë globit.

“Në rishikimin e saj, IC (komuniteti i inteligjencës) ka zbuluar se Rusia ka transferuar në mënyrë të fshehtë mbi 300 milionë dollarë dhe ka planifikuar të transferojë fshehurazi të paktën qindra milionë më shumë te partitë e huaja politike, zyrtarët dhe politikanët në dhjetëra vende dhe në katër kontinente në këtë periudhë“, është shprehur zyrtari për gazetarët.

Zyrtari amerikan shtoi se, “Rusia është e motivuar nga përpjekja për të përfituar parti specifike politike dhe për të minuar demokracinë në të gjitha këto vende”. 

Ai bëri të ditur se ShBA-ja i ka ndarë këto zbulime si dhe hapat që mund të ndërmerren për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi, me vendet e ftuara në Samitin për Demokraci që do të mbahet në dhjetor. Poashtu ai njoftoi se ShBA është duke i informuar në heshtje edhe vendet që janë ndikuar.

Më tej ai shtoi se, administrata Biden shpreson se do të ketë një sërë përfitimesh nga ndarja e këtij informacioni publikisht, duke përfshirë: rritjen e ndërgjegjësimit global për kërcënimin e financimit të fshehtë politik rus, nxitjen e vendeve të tjera që t’i japin ShBA-së informacione për operacionet e Rusisë dhe duke e bërë të qartë se ndikimi i fshehtë politik i Rusisë është një “dukuri globale që kërkon veprim të koordinuar”.

Sipas CNN, zyrtari ka thënë se fakti që ky informacion tani është publik, i është njoftuar edhe Rusisë dhe partive që ajo mbështetë.

“Duke hedhur këtë dritë mbi financimin e fshehtë politik rus dhe përpjekjet ruse për të minuar proceset demokratike, ne po i vëmë në dijeni këto parti dhe kandidatë të huaj se nëse pranojnë paratë ruse fshehurazi, ne mund dhe do t’i ekspozojmë ato,” tha zyrtari.