Maqedoni

Shënohet rasti i parë me “Fluron” në Maqedoninë e Veriut

Regjistrohet rasti i parë me virusin e ashtuquajtur “Fluron” – që është kombinim i gripit sezonal me virusin korona. Ministria e Shëndetësisë njofton se ky lloj i ri i virusit është detektuar te një pacient 26 vjeçar nga komuna Zajaz e Kërçovës i cili më datën 31 dhjetor ka ardhur nga Amerika. Siç ka treguar, pacienti ka pranuar dozën e dytë të vaksinës anti Kovid disa ditë përpara se të vinte në Maqedoni, shkruan Alsat.

“Për momentin gjendja shëndetësore e pacientit është stabile. Ai është udhëzuar për trajtim në kushte shtëpiake sepse për momentin nuk ka formë të rëndë klinike të sëmundjes”- deklaroi Ministria e Shëndetësisë.

Ndërkohë të dhënat e përditësuara të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 1375 raste të reja me Covid-19 që është për 178 raste më shumë krahasuar me një ditë më parë. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik për ALSAT tha se që gjatë ditëve të ardhshme numri i rasteve pozitive me virusin korona si dhe me variantin e ri Omikron pritet të shënojë rritje edhe më të madhe. Sipas tij një gjë e tillë vjen si pasojë e grumbullimeve për festat e fundvititit.

“Kemi një rritje të konsiderueshme të numrit të rasteve të reja pozitive me Kovid. Kjo është si rezultat i festave të Vitit të Ri, grupimeve të caktuara të njerëzve dhe kjo tregon se nuk kemi respektim të normave. 2:47 Të gjitha mutacionet e Covid-19 i kemi të konfirmuara në nivel shteti, numri do të jetë edhe më i madh gjatë periudhës që vjen me variantin Omikron”- pohoi Shaban Memeti, Instituti I Shëndetit Publik.

Ndryshe, varianti Omikron i virusit korona në vendin tonë u detektua dje edhe te 9 persona tjerë duke çuar në 10 numrin total të rasteve pozitive me këtë variant. Ministria e Shëndetësisë njofton se 8 nga pacientët që kanë rezultuar pozitiv janë nga Shkupi ndërsa njëri është nga Kocani. Rasti I parë me Omikron në vend u regjistrua më 14 dhjetor. Në fuqi mbeten masat aktuale, ndërkaq autoritetet thonë se nuk mendojnë për vendosjen e masave shtesë shtrënguese.