Kamberi për RTK-në: Në zgjedhje shkojmë me dy lista për mungesë koordinimi
Serbia muajin tjetër mban zgjedhjet parlamentare. Për dallim nga zgjedhjet e vitit 2020, kur shqiptarët e Luginës së Preshevës u paraqitën me një listë të përbashkët, në zgjedhjet e 3 prillit shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit duke pasur dy opsione; Koalicionin e Shqiptarëve të Luginë dhe Alternativën për Ndryshim.
Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Serbi gjithmonë kanë qenë sfidë për partitë politike shqiptare atje.
“Gjithmonë kemi pasur dy koncepte që janë lajmëruar. Kemi pasur subjekte politike që ishin proaktive, pro pjesëmarrjes në zgjedhje, duke tentuar që edhe përmes përdorimit të të gjitha mekanizmave ligjor të luftohet për të drejtat e shqiptarëve dhe të tjerët që ishin kundër pjesëmarrjes me atë se Serbia nuk dëshiron t’i njohë shqiptarët dhe se nuk kemi se për çfarë të marrim pjesë në zgjedhje.
Por, në zgjedhjet e fundit ishte një angazhim më i madh i Tiranës zyrtare që ndikoi të kemi një listë të përbashkët shqiptare”, ka thënë Kamberi në një intervistë për emisionin “Aktual” në RTK.
Megjithatë, sipas tij në zgjedhjet e këtij viti ky angazhim ka munguar dhe qeveritë në Tiranë e Prishtinë u angazhuan me vonesë në këtë drejtim.
“Si rrjedhojë nuk arritëm të koordinohemi për çështjet kruciale. Ne kemi pasur takime me të gjitha partitë poltike shqiptare ku jemi munduar të ndërtojmë një listë të përbashkët, por disa prej partive që tash garojnë në këto zgjedhje nuk u ka pëlqyer paraqitja ime në parlament në dy vitet e fundit. Kjo për faktin se kërkojnë që me Serbinë të mos jemi konfrontues por të ndërtojmë një politikë pragmatike”, ka potencuar Kamberi.
Duke folur për mundësinë që shkuarja në zgjedhje me dy lista t’i kushtojë shqiptarëve me humbjen e ndonjë mandati në Parlamentin e Serbisë, Kamberi ka thënë kapaciteti maksimal është arritja e katër deputetëve, por shumëçka varet nga angazhimi i partive për të nxitur pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje.
“Në zgjedhjet e fundit kemi pasur mbi 26 mijë votues dhe kemi marrë tre deputetë, ndërkohë në vitin 2014 kur kemi shkuar si parti e vetme, pasi tjerat nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, kemi marrë 24 mijë vota dhe kemi fituar dy mandate.
Në zgjedhjet e kaluara kemi fituar tre deputetë jo falë angazhimit të madh të subjekteve politike, por për shkak se në Serbi ka ndryshuar ligji për zgjedhjet parlamentare sa i përket listave të partive të pakicave nacionale, ku numri i votave të fituara rritet për 35 përqind. Ky ka qenë paramentri që ne kemi fituar edhe deputetin e tretë.
Tash do të ishte shumë më komode të ishim me një listë të përbashkët dhe të pretendonim katër mandate, por kur ka angazhim më të madh nga të dyja palët mendoj se mund të kemi tre deputetë e pse jo edhe dy listat shqiptare të fitojnë nga dy deputetë.
Sidoqoftë, për ne është me më rëndësi që edhe nëse jemi të ndarë me lista në Preshevë e Bujanoc, në Beograd të shkojmë me qëndrime të përbashkëta parlamentare”, ka shtuar Kamberi.
Ai do të jetë bartës i listës Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, e cila do të ketë 10 kandidatë për deputetë nga tri komunat e Luginës së Preshevës.