Serbia subvencionon deri në 5.000 euro për blerjen e automjeteve elektrike
Ministrja e Mbrojtjes së Mjedisit në Serbi, Sara Pavkov, ka bërë të ditur se edhe gjatë këtij viti shteti do të vazhdojë të mbështesë blerjen e makinave elektrike, duke ofruar subvencione deri në 5.000 euro, në varësi të kategorisë së automjetit.
Sipas saj, interesimi i qytetarëve dhe i sektorit të biznesit për automjetet elektrike gjatë vitit 2025 ka qenë më i lartë se sa pritej. Për këtë qëllim, Ministria e Mjedisit ka ndarë mbi 450 milionë dinarë për mbështetjen financiare të blerjeve.
Nga ky program përfitojnë qytetarët, bizneset, personat juridikë si dhe sipërmarrësit individualë, të cilët mund të aplikojnë për subvencion për blerjen e automjeteve të reja elektrike.
Shuma e subvencionit mund të arrijë deri në 5.000 euro për automjet, në varësi të klasës së makinës dhe kritereve të përcaktuara nga programi.
Qëllimi i kësaj mase është ulja e ndotjes së ajrit, nxitja e përdorimit të automjeteve me emision zero dhe përmirësimi i cilësisë së jetës në qytetet e Serbisë. Ministrja Pavkov ka theksuar se subvencionet për makinat elektrike do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti, me buxhet të veçantë të dedikuar për këtë qëllim.
