Serbia i kërkon SHBA-së t’i bëjë presion Kosovës
Pas Prishtinës, këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan, Derek Chollet, të enjten qëndroi në Beograd, ku mbajti takime me zyrtarët e lartë institucionalë të Serbisë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta përdorin ndikimin e tyre për ta shtyrë Kosovën drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura nga dialogu i mëhershëm në Bruksel
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i kërkoi këshilltarit të posaçëm të Departamentit Amerikan të Shtetit që Shtetet e Bashkuara ta përdorin ndikimin e tyre për ta shtyrë Kosovën që t’i përmbushë detyrimet nga marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën.
Presidenti i fqinjit verior, qëndrimin e shpalosi pas takimit me Derek Chollet, i cili të enjten qëndroi edhe në Beograd.
“I shpreha pritjen që SHBA-ja të njohë përpjekjet e shtetit tonë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe po ashtu ta përdorë ndikimin e padyshimtë dhe ta inkurajojë Prishtinën që t’i përmbushë obligimet në pajtim me marrëveshjet e pranuara dhe të nënshkruara, por edhe që të vazhdohet dialogu në frymën e sinqeritetit dhe shkëmbimit të hapur të propozimeve për zgjidhjen e sfidave konkrete”, ka thënë Vuçiqi.
Marrëveshja në të cilën vazhdon të insistojë Serbia është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Chollet tha se kjo është nyja kryesore rreth dialogut, teksa kërkoi që Qeveria e Kosovës t’i propozojë modalitetet rreth këtij mekanizmi.
Sipas tij, formimi i Asociacionit do të garantonte që të dëgjohej zëri i serbëve të Kosovës.
E lidhur me vizitën e së mërkurës në Prishtinë, Chollet ka shkruar në Twitter, duke theksuar se partneriteti midis SHBA-së e Kosovës mbetet i palëkundur.
Ai, po ashtu, e lavdëroi Kosovën për solidaritetin e treguar karshi Ukrainës së përballur me pushtimin e Rusisë, si dhe për strehimin e refugjatëve afganë, pas rikthimit të vendit nën drejtimin e talebanëve.