Lajme

Gjykata Speciale liron me kusht Hysni Gucatin

Gjykata Speciale ka njoftuar se ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, është liruar me kusht, për pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, apo për pjesën e mbetur të dënimit prej katër vjetësh e tre muaj.

Gucati ishte dënuar në maj të 2022-s pas akuzave për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në njoftimin e së martës nga Specialja, thuhet se në vendimin për lirim me kusht janë marrë parasysh “reflektimet për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe se sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës”.

Gjykatësja Ekaterina Trendafilova ka theksuar po ashtu kërkimfaljen e Gucatit dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale.

Specialja megjithatë ka thënë se nëse Gucati nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, vendimi do të anulohet.