Saranda mbushet me tabela në greqisht, PDIU thotë se është cenim i sovranitetit e kërkon ndërhyrjen e shtetit
PDIU ka denoncuar vendosjen e tabelave në greqisht në zonat e Sarandës, Delvinësk, Konispolit, Finiqit e Dropullit. Në një deklaratë, kjo forcë politike thotë se kjo përbën kapitullimin e plotë të shtetit shqiptar dhe një provokim të paprecedentë ndaj kombit tonë.
“Rilindja e pretendimeve “vorioepirote” nën hundën e qeverisë Rama përbën skandalin më të rëndë të 30 viteve të fundit. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndan shqetësimin e sarandiotëve, delvinjotëve, konispolatëve por dhe Finiqit e Dropullit e çdo shqiptari që po sheh ditën me diell mosveprimin e turpshëm të qeverisë e prokurorisë përballë akteve të rënda kundër sovranitetit kombëtar”, thuhet në reagim.
PDIU kërkon ndërhyrjen e menjëherë të qeverisë dhe në rast se nuk e bën, sipas saj ka gisht në cenimin e sovranitetit të vendit, transmeton oranews.
“Çdokush të jetë i qartë se shqiptarët nuk do të rrinë duarkryq përball këtij skandali dhe për pak ditë, kjo shëmti do t’i përkasë historisë! PDIU i bën thirrje kryeministrit Rama, prokurores Marku, ministrave Lleshaj dhe Cakaj, të mos bëhen bashkëpunëtor të Jorgji Zografit, përpara se të jetë vonë! Greqishtja është gjuhë e dytë vetëm në Finiq e Dropull dhe atje tabelat duhen fillimisht në gjuhën shqipe, pastaj në greqisht. Ndërsa vendosja e tabelave greqisht në zonat e tjera, është e palejueshme dhe duhet urgjentisht ndërhyrja e Prokurorisë dhe Qeverisë”, thuhet në reagim.
Deklaratë e plotë PDIU-së:
Vendosja e tabelave në greqisht në gjithë zonën e Sarandës, Delvinës e Konispolit , Finiqit e Dropullit përbën kapitullimin e plotë të shtetit shqiptar dhe një provokim të paprecedentë ndaj kombit tonë.
Rilindja e pretendimeve “vorioepirote” nën hundën e qeverisë Rama përbën skandalin më të rëndë të 30 viteve të fundit.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndan shqetësimin e sarandiotëve, delvinjotëve, konispolatëve por dhe Finiqit e Dropullit e çdo shqiptari që po sheh ditën me diell mosveprimin e turpshëm të qeverisë e prokurorisë përballë akteve të rënda kundër sovranitetit kombëtar.
Nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn në kohë, tregon se ka gisht në cënimin e sovranitetit të vendit. Çdokush të jetë i qartë se shqiptarët nuk do të rrinë duarkryq përballë këtij skandali dhe për pak ditë, kjo shëmti do t’i përkasë historisë!
PDIU i bën thirrje kryeministrit Rama, prokurores Marku, ministrave Lleshaj dhe Cakaj, të mos bëhen bashkëpunëtor të Jorgji Zografit, përpara se të jetë vonë!
Greqishtja është gjuhë e dytë vetëm në Finiq e Dropull dhe atje tabelat duhen fillimisht në gjuhën shqipe, pastaj në greqisht. Ndërsa vendosja e tabelave greqisht në zonat e tjera, është e palejueshme dhe duhet urgjentisht ndërhyrja e Prokurorisë dhe Qeverisë.