BoksSporti

Ruiz Jr. refuzon të ndeshet me Joshuan në Britani

Andy Ruiz Jr. ka paralajmëruar se do të refuzojë që të ndeshet me Anthony Joshuan në Mbretëri të Bashkuar, pasi frikësohet se do t’i bëhet ndonjë kurth atje.

Meksikani shokoi botën më 1 qershor kur mposhti Joshuan me ndërprerje në raundin e shtatë duke fituar titujt e botës në versionet WBA, WBO, IBF dhe IBO në peshën e rëndë, shkruan sot Koha Ditore.

Ruiz Jr. ka reaguar në lajmin se boksieri britanik Dillian Whyte ka dalë pozitiv në testet e dopingut, megjithatë është lejuar të boksojë. Për të kjo është e papranueshme dhe druan se mund t’i ndodhë edhe atij nëse bokson në Angli. Whyte e Joshua janë britanikë dhe në të njëjtën kompani promovuese.

“Unë nuk do të shkoj në Britani për rimeç. Është një kurth”, ka shkruar Ruiz Jr. në Twitter.

Whyte raportohet se ka dalë pozitiv për së paku dy substanca të ndaluara para meçit të së shtunës me kolumbianin Oscar Rivas, të cilin e fitoi me vendim unanim.