Rritje masive e çmimeve të ushqimeve në Turqi
Rritja dramatike e çmimeve të artikujve ushqimorë në Turqi po e rëndon gjendjen ekonomike të qytetarëve. Ekspertët bëjnë qeverinë përgjegjëse, por presidenti turk ua vë fajin sipërmarrësve dhe botës së jashtme, shkruan DW.
Nuk është gjë e re që ekonomia turke vuan nga kriza. Prej dy vjetësh lira turke ndodhet në rënie. Kundër kësaj gjendjeje në fund të vitit të kaluar presidenti turk ndërmori një veprim me efekt mediatik: Ai kumtoi “epokën e re të ekonomisë” dhe këtë e pasuan largime spektakolare nga funksione të larta. Fillimisht u largua nga detyra kreu i Bankës Qendore, Murat Uysal, pastaj ministri turk i Financave, që është edhe dhëndri i Erdoganit. Zyrtarisht Berat Albayrak është tërhequr për arsye shëndetësore.
Deri tani nuk ndjehet gjë nga fillimi i ri, turbulencat në valutë madje janë përkeqësuar. Madje aty ku e ndjen më shumë populli turk. Tek çmimet e artikujve ushqimorë. Çmimet e tyre janë rritur në masë të paparë muajt e fundit. Sipas të dhënave të indeksit të çmimeve të Zyrës së Statistikave të Turqisë, TÜIK, që publikon raportin vjetor, vitin e kaluar pati një rritje dramatike të nivelit të çmimeve të ushqimeve. Përqindja e inflacionit u rrit në krahasim me vitin e kaluar me 6% duke shkuar në 20,6%.
Erdogan bën të ditur „dënime të ashpra”
Kështu kriza e valutës nuk është më një rrezik abstrakt, ajo është futur në kuzhinat turke. Për artikuj ushqimorë bazë, si perime, fruta, vezë, vaj apo qumësht në tregje kërkohen çmime të kripura. Deri në 25% është rritur çmimi për disa artikuj në javët e fundit. Përqindja e inflacionit për perimet dhe frutat ndërkohë ka arritur një vlerë rekord prej 33,9%.
Presidenti Erdogan në një intervistë pas lutjes të së premtes bëri përgjegjës tregtarët e pakicës për këtë gjendje. Ai bëri të ditur “dënime të ashpra”. Nuk më ka shpëtuar që tek perimet, frutat dhe perimet bishtajore ka dallime të mëdha në çmime. “Ne nuk mund ta tolerojmë më shtypjen e qytetarëve. (…)Bëjeni punën tuaj si duhet dhe mos i mundoni njerëzit”, u shpreh i zemëruar Erdogan dhe bëri të ditur rregullimin më të fortë të tregtisë së artikujve ushqimorë në muajt e ardhshëm. Do të ngrihet një “sistem i hershëm paralajmërimi” për çmimet jashtëzakonisht të larta.
Në të vërtetë në Turqi ka një klimë shumë të mirë për një bujqësi produktive. Megjithatë frutat dhe perimet eksportohen. Kritikët thonë, se për inflacionin në tregun e artikujve ushqimorë në masë të madhe është përgjegjëse vetë qeveria. Qeveria konservatore-islame e AKP-së investoi me vite në mënyrë shumë të njëanshme në sektorin e ndërtimit.