Bota

Bie rezoluta ruse, OKB firmos dokumentin për luftën kundër pandemisë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që kërkon “bashkëpunim ndërkombëtar” në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Rezoluta, është dokumenti i parë i miratuar nga organizata me 193 vende anëtare për pandeminë që ka përfshirë botën.

Rezoluta thekson rolin qendror të OKB-së në krizën globale shëndetësore dhe ekonomike dhe i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, të udhëheqë mobilizimin dhe koordinimin e një përgjigje globale ndaj pandemisë.

Rezoluta u paraqit nga Zvicra, Indonezia, Singapori, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Gana dhe u miratua me shumicë dërrmuese.

Një rezolutë rivale e paraqitur nga Rusia përmbante gjithashtu bashkëpunimin dhe nevojën për solidaritet përballë sfidave të paraqitura nga koronavirusi i ri, por ajo përfshinte një kërkesë për heqjen e përgjithshme të sanksioneve ndërkombëtare dhe një fund të luftërave tregtare.

Drafti rus kishte mbështetjen e katër vendeve, Republikës Qendrore të Afrikës, Kubës, Nikaraguas dhe Venezuelës, por diplomatët e cituar nga AP thanë se Bashkimi Evropian, Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kundërshtuan propozimin rus.

Rezolutat e miratuara nga Asambleja e Përgjithshme nuk janë detyruese, por kanë një fuqi politike në varësi të mbështetjes së tyre./Opinion.al