Kryesore

Robelli :Spastrim etnik me metoda burokratike/ rasti i Medvegjës

Në 4 vitet e fundit Serbia ka fshirë nga regjistrat civilë rreth 4000 shqiptarë të komunës së Medvegjës. Ky është një spastrim etnik me masa burokratike. Diskriminimi drakonik quhet “pasivizim i adresës së vendbanimit”. Tash dalëngadalë autoritetet serbe këtë projekt po provojnë ta realizojnë në Bujanoc dhe Preshevë. Të mbetur pa dokumente, shqiptarët e Medvegjës, për shembull, s’kanë rrugëdalje tjetër veçse të ikin në Kosovë. Fëmijët e tyre që lindin në Kosovë, autoritetet serbe nuk i regjistrojnë në Medvegjë. Rrjedhimisht, këtu shtrohet edhe çështja e pronave të shqiptarëve në atë komunë. Udhëheqësit politikë të Kosovës e kanë përcjellë me heshtje këtë proces të spastrimit etnik. Gjatë qëndrimeve të tij në Medvegjë presidenti serb A. Vuçiq për të frikësuar shqiptarët ka thënë se Medvegja dhe Banja e Sijarinës kanë qenë dhe do të jenë serbe. Po të bënte Kosova me serbët kosovarë atë që po bën Serbia me shqiptarët në Medvegjë, me siguri do mbaheshin disa mbledhje të Këshillit të Sigurimit. Por për këto tmerre që po u shkaktohen shqiptarëve, fajin duhet kërkuar në radhë të parë te udhëheqësit politikë në Prishtinë dhe Tiranë dhe te një pjesë e madhe e liderëve politikë të Luginës së Preshevës që viteve të fundit kanë lejuar të keqpërdoren nga politika në Kosovë. Pse të mos vë kusht Kosova: pa iu kthyer dokumentet të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk ka asnjë dialog me Beogradin për asnjë çështje.