Lajme

Rritet importi nga Serbia në Kosovë, me Shqipërinë shtohen marrëveshjet

Serbia ka shtuar praninë e prodhimeve të saj në tregun e Kosovës. Në kontrast, bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë mbetet në nivel të ulët. Tashmë Kosova nuk e ka Shqipërinë partner kryesor as në eksport. Komuniteti i biznesit thotë se marrëveshjet e nënshkruara Kosovë-Shqipëri nuk implementohen dhe ende ka shumë barriera.

Deri në nëntor, Kosova ka importuar mallra nga Serbia mbi 340 milionë euro. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar bojkotimin e produkteve serbe. Kritikë ndaj ekzekutivit të vendit për rritje të importit të mallrave serbe janë edhe partitë opozitare. Kështu sivjet Serbia prinë në rajon për pushtimin e tregut të Kosovës me mallra me origjinë serbe.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulëzim Rafuna shprehet i mllefosur se barrierat tregtare që janë duke u bërë mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë duke u aplikuar as me Serbinë.

Rafuna, duke kritikuar të dy qeveritë shqiptare, thotë për KosovaPress se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duhet të intensifikohet më shumë.

“Është e vërtet që prinë Serbia, tani ne kemi përqafuar tregtinë e lirë, mirëpo duhet pasur parasysh që disa produkte që prodhohen në Serbi, nuk prodhohen në Shqipëri. Por, duhet me gjetur mundësinë që ato produkte që prodhohen në Shqipëri dhe Kosovë ne të kemi një marrëdhënie krejt tjetër me Shqipërinë. Prandaj, ju bëj thirrje të dy qeverive që të ulen dhe ta veçojnë marrëdhënien Shqipëri-Kosovë, duke kaluar komplet në një sistem të ri të TVSH-së, pasi që nuk ka arsye që ne ende të mbajmë procedura doganore Kosovë-Shqipëri për prodhimet tona. Të harmonizohen politikat fiskale, kështu që ta bëjmë një treg që do të kishim me qenë më atraktivë edhe për investitorët e huaj dhe ta rrisim shkëmbimin e mallrave Kosovë-Shqipëri. Janë bërë shumë marrëveshje, fatkeqësisht mjaft pak kanë hyrë në fuqi dhe implementohen. Barrierat që janë me Shqipërinë, besoni që nuk janë me Serbinë. Nuk paguan skaner në Serbi, por paguan skaner në Shqipëri. Po ashtu nuk paguan taksë ekstra rrugore për maune në Serbi siç paguhet në Shqipëri. Kështu, më shumë ka barriera me Shqipërinë se sa që ka me Serbinë. Me Serbinë ne më shumë kemi barriera politike se sa administrative. Kështu që duhet me urgjencë për të punuar në eliminimin e tyre”, ka theksuar ai.

Për shkak të këtyre barrierave, Rafuna ngriti edhe një tjetër shqetësim e që ka të bëjë me eksportin e mallrave. Ai tha se Kosova nuk e ka më Shqipërinë partner kryesor për eksport.

Në eksport, Kosova nuk e ka më partner kryesor Shqipërinë, por e kemi Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave zyrtare, ne më shumë eksportojmë në Maqedoni se sa në Shqipëri. Pse po ndodhë kjo? Për shkak të këtyre barrierave. Çka ne mendojmë se duhet të veprohet me Shqipërinë, është çështja e reciprocitetit, duhet ta kemi një reciprocitet (procedurë për procedurë)”, thotë Rafuna.

Ndërsa, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Zef Dedaj ka pranuar se krahas vendeve të rajonit, Serbia prinë për eksport të mallrave në drejtim të Kosovës.

Megjithatë, rritjen e importit me Serbinë, Dedaj e ka arsyetuar edhe me ngritjen e çmimeve për mallrat.

“Nga Serbia kemi importuar 310.1 milionë euro, për periudhën janar-shtator 2022. Në vitin 2021 importi nga Serbia ka qenë 246.7 milionë euro. Rrjedhimisht tani ka rritje të importit nga të gjitha shtetet për shkak të rritjes së çmimeve. Pastaj, është Turqia, në këtë periudhë të vitit 2022 është 656.1 milionë, Shqipëria në këtë periudhë të vitit 2022 me 204.8 milionë euro, Greqia 266.6 milionë euro, e kështu me radhë”, ka theksuar Dedaj.

Dedaj për KosovaPress ka thënë se fatkeqësisht importi i tërësishëm ende mbetet në nivel të lartë në 4,1 miliardë euro.

“Fatkeqësisht është shumë i lartë dhe rrjedhimisht përbën ende bilanc negativ të lartë tregtarë. Ky trend i referohet edhe inflacionit, rritjes së çmimeve. Megjithatë, ana pozitive e jona është se eksportet po rriten, dhe rrjedhimisht synojmë përmirësimin e bilancit tregtar për mallra”, thekson ai.