Lajme

Riatdhesohen nga SHBA-ja mbi 220 qytetarë shqiptarë

Mbi 220 qytetarë shqiptarë janë riatdhesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë, falë mbështetjes që i bëri këtij procesi Qeveria Shqiptare.

Lajmin e bën të ditur Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli-Faber e cila tha se “në grupin e fundit janë nisur nga Shtetet e Bashkuara 125 qytetarë shqiptarë, kryesisht nga Nju Jork, por shumë prej tyre fluturuan edhe nga Los Angeles, Siatwll, Çikago, Boston, Dallas, Minneapolis, Detroit, Las Vegas, Tampa, Miami dhe Uashington DC. Në disa raste direkt drejt Londrës dhe më tej drejt Tiranës”.

“Të organizuar në grupe dhe në ditë të ndryshme, janë plotësuar pothuajse të gjitha kërkesat e qytetarëve të paraqitura pranë Ambasadës së Shqipërisë në Uashington por edhe të njoftuar përmes mediave. Jemi të vetëdijshëm që një numër qytetarësh nuk kanë mundur të udhëtojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit, kostove financiare, lidhjeve ajrore të kufizuara drejt Nju Jorkut, studentët të cilët ishin pikërisht këto ditë në sezon provimesh, apo arsye të tjera personale. Urojmë që fluturimet normale të fillojnë sa më shpejt dhe qytetarët të udhëtojnë normalisht me biletat e rezervuara më pare”, shprehet ambasadorja.

Ambasada e Shqipërisë në Uashington DC, vijoi ajo, hartoi dhe kuroi me detaje një plan të detajuar me të gjithë hapat e këtij procesi që, për shkak edhe të situatës të COVID-19, rezultoi aspak i lehtë për t’u realizuar.

“Shërbimet që në kushte normale merren të mirëqena duheshin ofruar hap pas hapi me qëllim sigurinë e qytetarëve dhe mbërritjen e tyre në destinacion. Për arsye të një informacioni të pakët dhe në shumë raste të pasaktë, është nevojitur koordinimi me të gjithë aeroportet në SHBA nga ku janë nisur qytetarët shqiptarë, përfshirë Aeroportin Heathrow në Londër”.