Kryesore

Rezultatet preliminare: Presheva 58850, Bujanoci 54000 dhe Medvegja 8300 qytetarë të regjistruar

Procesi i regjistrimit të popullatës dhe amvisërive i filluar me 1 tetor në Serbi, e që është paraparë të zgjas deri më 31 tetor, në Luginë të Preshevës po thuaj ka përfunduar në të gjithë vendbanimet shqiptare.

Procesi sipas përfaqësuesve të Komisionit Komunal për Regjistrim, është zhvilluar pa ndonjë problem, ndërsa rezultatet preliminare i përgënjeshtrojnë autoritet shtetërore të cilat shqiptarët i konsideronin vetëm 5200 banorë, në bazë të regjistrimit të 2011 –tës.

“Rezultatet preliminare janë se në komunën e Preshevës me të gjitha 35 vendbanime jetojnë 58850 qytetarë rezident dhe jorezident në 11573 amvisëri. Sipas informatave që i kam Bujanoc ka diku mbi 54000 qytetarë, ndërsa Medvegja mbi 8300 qytetarë”, deklaroi Hevzi Ramadani, kryetar i Komisionit Komunal për Regjistrim.

Qytetarët në Preshevë, iu kanë përgjigjur pozitivisht regjistrimit ndërsa shprehen të kënaqur që janë regjistruar të gjithë edhe ata që jetojnë këtu e edhe familjarët e tyre që jetojnë ën diasporë.

“Jemi regjistruar kemi kaluar mirë, çdo gjë ka qen në rregull, jemi regjistruar ne edhe të gjithë pasurinë që e kemi pasur. Jemi të kënaqur me ata që e kanë bërë regjistrimin dhe se gjithçka ka shkuar në rregull”, deklaroi Besnik Arifi.

Edhe Lirim Kamberi thotë se procesi i regjistrimit ka qenë në rregull. “Regjistruesit kanë qenë në shtëpitë tona dhe ne të gjithë iu jemi përgjigjur pozitivisht. Iu bëjë apel edhe pak atyre, nëse ka mbetur dikush, që të regjistrohen”, tha ai.

Rezultatet e para zyrtare Enti për Statistika i Serbisë pritet t`i bëjë publike nga fundi i nëntorit, ndërsa ato përfundimtare më së voni deri në fundin e prillit të vitit 2023. Procesi i regjistrimit në tri komunat e Luginës së Preshevës është monitoruar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e misionit të OSBE-së në Serbi.

Edhe sipas përfaqësuesve politik nga Lugina, kësaj here thonë se regjistrimi ka dëshmuar se në tri komunat, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, janë mbi 100 mbi banorë shqiptarë