Rexhepi: Dëmtimi i pllakatës përkujtimore kushtuar Komandant Lleshit në Bujanoc është një akt i turpshëm!
Reagim nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar
Dëmtimi i pllakatës përkujtimore kushtuar Komandant Lleshit në Bujanoc është një akt i turpshëm, frikacak dhe thellësisht provokues ndaj ndjenjave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ky është jo vetëm një sulm mbi kujtesën e një figure emblematike të rezistencës shqiptare, por një përpjekje e hapur për të provokuar tensione dhe për të fyer identitetin dhe historinë tonë kolektive. Këto akte nuk janë të rastësishme, por ato janë të organizuara, të motivuara nga urrejtja ndaj shqiptarëve.
Kujtojmë të gjithëve se Komandant Lleshi është simbol i qëndresës dhe i sakrificës për liri. Askush nuk mund ta fshijë atë nga memorja e historisë sonë, sepse historia jonë ka ideal dhe qëndrueshmëri historike.
Rrugaçët të dirigjuar e motivuar nga urrejtja nuk mund të cenojnë krenarinë, kujtesën dhe identitetin shqiptar në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.
Lavdi Komandant Lleshit dhe të gjithë atyre që ranë për liri!