Reagimi i Kryetarit Shqiprim Arifi – rreth situatës së krijuar të fundit
Kryetari i Kuvendit Shqiprim Arifi, ka reaguar pas largimit të këshilltarës nga partia e tij.Tashmë zyrtarisht Shqiprim Arifi dhe subjekti i tij janë me një numer të reduktuar të këshilltarëve.Më poshtë e keni të plotë reagimin e Krytarit të Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi:
Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës,
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Sot nga sekretariati i Kuvendit Komunal në Preshevë jemi njoftuar për pranimin e një shkrese se Këshilltarja Fetanete Mehmedi ka vendosur që të largohet nga fraksioni qeverisës i APN-së në Kuvendin lokal për t`u angazhuar si këshilltare e pavarur. Së pari, shfrytëzojmë rastin t`i falënderohemi znj. Mehmedi për angazhimin e saj në muajt e kaluara në Kuvendin Komunal si dhe aktiviste e subjektit tonë politik që nga themelimi.
Me keqardhje, konstatojmë se vendimi i saj ka sjellur organin legjislativ dhe si rrjedhojë të gjithë ekzekutivin si dhe institucionet lokale në një situatë të palakmueshme, meqë siç dihet as opozita dhe as pozita nuk ka numrat e mjaftueshme për vazhdimin e këtij mandati.
Theksojmë se çështjet e cekura në letrën e largimit të saj nga fraksioni ynë nuk korrespondon me mbledhjet dhe bisedat e vazhdueshme që kemi pasur që nga fillimi i këtij pushteti.
Të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës,
Siç jeni në dijeni, konstituimi i pushtetit tonë në mars të vitit 2018 ka ardhur si pasojë e shpërndarjes së dy pushteteve të motivuara nga interesat e grupeve të caktuara që kanë për qëllim destabilizimin e Luginës së Preshevës në vigjilje të bisedave përfundimtare të marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Qëndrimet tona të detajizuara do të shfaqim publikisht pasi të njoftohemi më konkretisht lidhur me vendimin e këshilltarës Fetanete Mehmedi si dhe pasojat konkrete nga vendimi i saj.
Ftoj të gjithë anëtarësinë e APN-së si dhe qytetarët e Komunës së Preshevës, ashtu siç kemi praktikuar në vitet e kaluara që me QETËSI dhe DASHURI të qasemi në zgjidhjen e situatës së krijuar në Komunën tonë!
Shqiprim Arifi,
Kryetar i Komunës së Preshevës,
Preshevë, 16.01.2019