Reagon Shaip Kamberi për skandalin në ndeshjen e futbollit në Han: 3 kartona të kuq për Tërnocin janë kartona për shqiptarët
Klubi i futbollit “Tërnoci” po shqyrton daljen nga gara pas skandalit të sotëm kundër ekipit “Morava” nga Vlladiçin Hani ku referi i ndeshjes në minutën e 65 të ndeshjes shqiptoi 3 kartona të kuq për lojtarët e Tërnocit, raporton rtvpresheva.com
Kjo nuk ishte e tëra nga arbitri i ndeshjes, ai u dha gati se tërë ekipit kartona të verdh pa asnjë arsye por me të vetmin qëllim, dëmtimin e ekipit shqiptar.
Për këtë ngjarje ka reaguar deputeti Shaip Kamberi i cili ka theksuar se “3 kartona të kuq për lojtarët e KF Tërnocit në minutin e 65′ të ndeshjes së zhvilluar në Vlladiçin Han në fakt janë kartona të kuq për shqiptarët në përgjithësi”
Reagimi i plotë i Shaip Kamberit
3 kartona të kuq për lojtarët e KF Tërnocit në minutin e 65′ të ndeshjes së zhvilluar në Vlladiçin Han në fakt janë kartona të kuq për shqiptarët në përgjithësi.
Eliminimi nga Liga në të cilën KF Tërnoci po garon është qëllimi kryesor i këtij skandali të paparë deri më tash.
Atyre po i pengon prezenca e KF Tërnocit në këtë garë. Vendosmëria e lojtarëve e entuziazmi i ekipit që po udhëheq me klubin.
Gati e gjithë pjesa tjetër e ekipit është ndëshkuar me kartona të verdhë dhe si pasojë është ndërprerë ndeshja.
Kjo është e padrejtë. Kjo është pasqyra më e mirë se sa pak na dojnë e sa shumë i pengojmë. Qoftë edhe në fushë e poashtu edhe në garë.
Ftoj Federatën e futbollit që të ndalojë menjëherë këto padrejtësi.
KF Tërnoci as nuk shuhet e as nuk eliminohet.
Ai, nganjëherë edhe mund të humbë, por në garë e në fushë.
Jo me referë të pacipë e me qëllime tendencioze.
Kartoni i kuq i referit në Vlladiçin Han mund edhe të ketë eliminuar nga loja Herolindin, Basrijën e Notin, por asnjëherë nuk do ta vrasë vullnetin e tyre për të shkëlqyer për KF Tërnocin.