Lajme

Reagon diplomacia gjermane: Taksa 100% dhe bisedimet duhet të ‘ndreqen’ shumë shpejtë

Diplomati gjerman Christian Hellbach me detyra në rajon thotë se ‘Taksa 100%’ dhe vonesa e bisedimeve me Serbinë, janë çështje që Kosova duhet t’i zgjidhë në afat të shpejtë, sepse toleranca e vendeve të Bashkimit Europian (BE) dhe e aleatëve të tjerë po zbehet.


Ambasadori Christian Hellbach, drejtor i deritanishëm për Evropën Juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. Ai ka kritikuar kushtëzimin që Qeveria e Kosovës i ka bërë procesit.

“Rinisja e dialogut parakupton që të dyja palët t’i qasen njëra-tjetrës dhe të tërhiqen nga kërkesat e tyre maksimale. Është absurde që si parakusht për fillimin e dialogut Serbisë t’i kërkohet ta njohë Kosovën”, thotë Hellbach, duke theksuar edhe se Gjermania nuk ka “asnjë mirëkuptim” për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

“E them këtë si përfaqësues i një vendi që është vend mik dhe mbështetës i Kosovës: Kosova mund dhe duhet të marrë vendimet e veta. Por nuk është gjë e mençur t’i kthesh miqtë e mirë shumë kundër vetvetes”, thotë Hellbach, i cili prej gushtit ia ka dorëzuar detyrën znj. Susanne Schütz, ambasadore e deritanishme e Gjermanisë në Tiranë. Ambasadori ka thënë po ashtu se nuk arrihet qëllimi duke ua hedhur gjithmonë fajin të tjerëve.

“Kjo vlen si për proceset e zvarritura të transformimit në të gjithë rajonin, ashtu dhe për stagnimin aktual në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Ai, i cili e ka rregulluar shtëpinë e vet dhe qëndron mirë, ai do t’ia dalë t’i mbrojë interesat e tij dhe të arrijë një kompromis të qëndrueshëm. Gjermania e ka njohur Kosovën, nga ky pozicion e mbështet dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Prandaj ne jemi për atë që bisedimet të rifillojnë, si një proces transparent, i strukturuar dhe përfshirës dhe që ai të zhvillohet me insistim, në mënyrë që sa më parë të arrihet një zgjidhje përfshirëse, e qëndrueshme, e cila i rregullon të gjitha çështjet dhe kontribuon në stabilitetin rajonal”, ka thënë Ambasadori Christian Hellbach.