Lajme

Reagon Bekim Jashari pas incidenteve të mbrëmjes në Skenderaj

Kreu i VV-së, Albin Kurti gjatë ditës ka qëndruar për vizitë në Skenderaj, ku u prit me tensione nga një grup qytetarësh.

Pas kësaj situate ka ardhur edhe reagimi i Kryetarit të Skenderajit, z.Bekim Jashari i cili ka deklaruar se Komuna që ai udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë.

Reagimi i plotë i Bekim Jasharit:

Të dashur qytetarë,

Jetojmë në kohën e pluralizmit politik, në kohën e demokracisë liberale, ku mendimi i lirë politik, bindja politike është e drejtë fundamentale dhe e garantuar me ligj.

Secili nga Ne ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike e partiake, në menyrë demokratike kudo në Kosovë.

Shoqëria jonë, bazuar në sfidat e së kaluarës, më së miri i di dhe i vlerëson liritë dhe të drejtat e njeriut.

Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë.

Për këtë kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj pa rreshtur.