Lajme

Ambasadori amerikan në Serbi vlerëson qeverinë e Vuçiqit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Serbia tani është një shoqëri ku sundimi i ligjit është më i fortë dhe se ka ardhur deri në atë pikë ku vrasësit e gazetarëve po sillen para drejtësisë dhe kjo, sipas tij, është një arritje, duke lavdëruar indirekt presidentin Aleksandar Vuçiq.

Hill iu referua rastit të vrasjes së gazetarit Slavko Quruvija, për të cilin thotë se tregon se sa shumë ka avancuar Serbia në vitet e fundit, transmeton Danas.

“25 vjet më parë, kjo ishte një shoqëri e tillë që aparatet shtetërore mund të vrisnin gazetarët, dhe tani është një shoqëri në të cilën sundimi i ligjit është më i fortë. Nëse gjykata merr një vendim të drejtë, do të jetë diçka për t’u mbajtur mend aktgjykimi dhe dënimi i parë për vrasje të gazetarëve në historinë e Serbisë”, ka thënë Hill.

Ai shtoi se këtë progres duhet ta vërejnë edhe të tjerët që e vëzhgojnë Serbinë dhe vërejnë se diçka është përmirësuar vitet e fundit.

“Nuk mund të vihet në dyshim që Serbia po shkon drejt Bashkimit Evropian dhe po rritet në një demokraci të përgjegjshme në të cilën respektohen të drejtat e gazetarëve, në të cilën gjaku do të përgjigjet para ligjit”, ka thënë Hill.

Gazetari Quruvija u vra në prill të vitit 1999. Serbia nisi rigjykimin e çështjes në mars të vitit 2023.