Rasti Kumanova para Apelit: “Terroristë pa kryer asnjë akt terrori”
Në Gjykatën e Apelit, në ditën e dytë janë duke u shqyrtuar ankesat e të dënuarve nga “Lagja e Trimave”.
Seanca filloi me fjalët e palës mbrojtëse të të dënuarve, ku mes tjerash avokati Elenko Millanov tha se akuza për veprën penale Terrorizëm ka qenë e gabuar që nga fillimi i këtij procesi gjyqësorë. Ai tha se Prokuroria Publike është dashur të ngrit aktakuzën në bazë te fakteve dhe jo emocioneve.
Aksioni policor i 9 majit të vitit 2015 në Kumanovë ka shkaktuar 18 viktima, por sipas avokatit Millanov, i ashtuquajturi “Grupi i Kumanovës” nuk ka ushtruar terror më parë, duke mohuar edhe uzurpimin e stacionit policor në Goshicë me arsyetimin se nuk është shkrepur asnjë plumb.
Në seancën e sotshme janë të pranishëm katër të liruarit si të pafajshëm nga Gjykata Penale, ndërsa mungojnë të dënuarit nga “Lagja e Trimave”, pasi dje ata u përjashtuan nga salla ndërkohë që në seancën e sotme përfaqësohen nga avokatët e tyre, përcjell Alsat.