Lajme

Ramush Haradinaj ka marrëveshje edhe me Behgjet Pacollin, pritet njoftimi zyrtar së shpejti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, brenda pak ditësh mund ta zyrtarizoj edhe partnerin e dytë në koalicion parazgjedhor, pas PSD’së, transmeton Ministria Lajmeve.


“Gazeta Blic” nga burime brenda AAK-së, ka marrë vesh se pos PSD-së, shumë shpejt mund të zyrtarizohet edhe koalicioni me AKR’në.

Sipas këtyre burimeve, lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj dhe ai i Alencës Kosova e Re, Behgjet Pacolli kanë një marrëveshje një parim për të hyrë në koalicion parazgjedhor.

“Ka një marrëveshje parimore ndërmjet Ramush Haradinajt e Behgjet Pacollit për koalicion parazgjedhor. Janë edhe disa detaje të papërfunduara”, tha ky burim.

Sipas këtij burimi, Haradinaj po pret edhe pak ditë, gjegjësisht një përgjigje pozitive edhe nga Nisma, në mënyrë që pastaj ta ketë më të lehtë përpilon e listës zgjedhore të përbashkët ndërmjet katër partive.

Është vetë Haradinaj, ai i cili sot edhe publikisht e tha se pret që koalicioni AAK- PSD të zgjerohet me Nismën e AKR-në.

“Nuk jemi pjesë e skenarëve për një PAN të ri. As për një PAN 2 apo PAN 3, dhe këtë e themi me përgjegjësi të plotë dy subjektet politike. Por, jemi që subjektet tjera politike që kanë pikëpamjet e tyre t’i dëgjojmë. Ajo që po bëjmë është se ne nuk po presim nga askush po e krijojmë boshtin e fitores, që është shpresë për qytetarët e vendit. Nesër do të takohemi me kryetarin e Nisma Fatmir Limaj, ideja është për zgjerimin e koalicionit, ftojmë edhe AKR’në të na bashkëngjitet”, ka thënë ai.

Haradinaj ka komentuar edhe takimet e Isa Musfatës me liderët e disa partive politike. “Kam do punë mi kry këtu do të jemi çdo ditë me Shpend Ahmetin”, tha ai .

Në anën tjetër, nga Nisma janë të bindur se rruga më e mirë është shkuarja vetë në zgjedhje.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Social Demokrate, Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur se Nisma do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme.