ARKIVA

Arkiva/ DËBIMI I SHQIPTARËVE NGA SANXHAKU I NISHIT 1877/78

Shqiptarët deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX jetonin në shumicën e qyteteve dhe qytezave, fshatrave të Sanxhakut të Nishit si dhe në rajonet e përafërta. Sanxhaku i Nishit ishte një njësi administrative-territoriale e Perandorisë Osmane me qendër në Nish, qytet i lashtë, qendër e Dardanisë Ilire.

Pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare ishin përqendruar në Qarkun e Toplicës, i cili përfshinte rrethin e Jabllanicës, Kosanicës, Prokuplës dhe qytetin e Prokuplës; Qarkun e Nishit që përfshinte rrethet e Vllasotincës, Leskocit, Nishit dhe qytetin e Nishit; Qarkun e Vranjës me rrethin le Masuricës, Polanicës, Pçinjit dhe qytetin e Vranjës dhe Qarkut të Pirotit (Nishavës). Banorë shqiptarë kishte edhe në vende tjera, sidomos në qytete, si p.sh. në Qupri, Paraçin, Uzhicë, Krushec, Aleksinc, Karanovc (Kralevë) madje edhe në Beograd.
Në Sanxhakun e Nishit jetonin rreth 250.000 banorë shqiptarë autokton të vendosur në mbi 700 vendbanime vetëm me banorë shqiptarë, por edhe në të përziera ku jetonin serbë, çerkezë etj.
Që nga viti 1833 kur Serbia kishte fituar autonomi kulturore nga Perandoria Osmane, kishte filluar planet për pushtimin e tokave shqiptare. “Naçertanija” e Ilija Grashaninit ishte një platformë dhe program për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta. Ky program u konstruktua në vitin 1844, ndërkohë që nisë të realizohet gjatë dhjetorit 1877 dhe janarit 1878, duke vazhduar më vonë në vitin 1912.
Pas 16 dhjetorit 1877, ushtria serbe do ta fillojë fushatën më tragjike që është zhvilluar ndonjëherë në Ballkan kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare të Sanxhakut të Nishit. Divizionet serbe të Danubit dhe Moravës sulmojnë popullsinë civile, duke vrarë e masakruar pleq, gra, fëmijë etj. Ua vënë flakën vendbanimeve shqiptare, djegin shtëpi dhe objekte të tjera të pronarëve shqiptarë. Çdo gjë e shndërrojnë në hi e pluhur.
Serbia në këtë luftë ushtroi një spastrim masiv të popullsisë shqiptare, ku në këtë krim u mbështet edhe nga forcat ruse. Ushtarakët serbë për të realizuar këtë qëllim kishin përdorur mjetet më brutale të dhunës fizik ndaj shqiptarëve. Me dhjetëra mijëra shqiptarë të moshave të ndryshme vriten nga zjarri i armëve, i bajonetave, nga djegiet për së gjalli, nga ngrirjet në dëborë e akull. Togje kufomash shqiptare, shtëpi të rrënuara, nëna të ngrira me foshnje në gji, fëmijë të uritur e të pambrojtur, uri e skamje nga zjarret dhe nga plaçkitjet si dhe skena të trishtueshme ishin pamjet që mbushnin Sanxhakun e Nishit, në qarqet e Nishit, Pirotit, Vranjës, Leskocit, Përkuplës, Kurshumlisë etj. Nëpër lumenjtë Moravë, Nishavë etj., notonin me qindra kufoma shqiptare të hedhura nga forcat ushtarake. Nga vrasjet e shumta u hapën varre masive, që nga Nishi e deri në Kurshumli. Princi serb Millan Obrenoviq, për të arritur këtë qëllim, ushtarëve të vet serbë u kishte shpërndarë proklamatë, në të cilën thuhej: “… sa më pak shqiptarë që të mbetën në territoret e çliruara nga Turqia, aq më shumë do të kontribuoni për shtetin. Sa më shumë shqiptarë të shpërngulur, aq më të mëdha meritat për atdhe”.