Lajme

Përfundoi edicioni i dytë i shkollës verore “Lugina Summer School 2019”

Përfundoi me sukses edhe edicioni i dytë i shkollës verore Lugina Summer School 2019 me kohëzgjatje prej 24 deri 27 gusht, në komunën e Preshevës dhe Bujanocit.

Organizimi dhe realizmi i kësaj shkolle verore erdhi si pasojë e bashkëpunimit midis tre unioneve të studentëve të Luginës së Preshevës: Unioni i Studentëve të Luginës së Preshevës në Kosovë, Unioni Studentor i Luginës së Preshevës në Maqedoni, si dhe ai në Shqipëri, me koordinatorë Leotrim Edipi dhe Shuajb Rashiti.

Tema kyçe e kësaj shkolle verore ishte “Fenomeni Modernitet”, ku edhe për të folën profesionistë të kësaj fushe duke u mundësuar pjesëmarrësve ta perceptojnë dhe analizojnë atë nga këndvështrime të ndryshme. Ligjëruesit e kësaj shkolle verore ishin Ali Pajaziti, Fitim Uka, Belgzim Kamberi, Latif Mustafa, Merjeme Gashi, Mevludin Ibish.

Ndërsa, për sa i përket aspektit praktik, në kuadër të Lugina Summer School u mbajtën edhe punëtori nga psikoterapeutët Arbër Zeka dhe Yll Avdijaj, duke i ofruar çlodhje dhe argëtim pjesëmarrësve.

Sidoqoftë, për dallim prej edicionit të parë të kësaj shkolle në të cilin kanë pasur mundësi pjesëmarrjeje vetëm qytetarë të Preshevës e Bujanocit, kësaj radhe ne kemi pasur nderin që të pranojmë në mesin tonë edhe bashkatdhetarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, fakt ky që i ka dhënë hijeshinë kryesore kësaj shkolle verore.

Megjithatë, ajo çfarë vlen të theksohet është se përgjatëh gjithë rrugëtimit kemi pasur mbështetje të plotë nga të dy komunat tona, ndihma e të cilave na ka lehtësuar shumë procesin e organizimit dhe mbajtjes së shkollës verore