Rama për linjën ajrore Prishtinë-Beograd: Po ta kisha thënë unë do më prisnin kokën
Në Këshillin e Atlantikut, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se procesi i Minischengenit Ballkanik i përgatit vendet e Ballkanit Perëndimor për në Bashkimin Evropian.
Sipas Kryeministrit Rama, minischengeni Ballkanik nuk minon procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se ky proces duhet të vazhdojë.
“Për momentin jam tradhtari i përlyer për imagjinatën e njerëzve që nuk e kuptojnë që nuk mund të ndërtosh paqe me të njëjtat instrumente dhe armë që ke luftuar për liri. Ajo që po përpiqemi të bëjmë dhe që mendoj se duhet të vazhdoj të bëjmë është që këtë schengen ta çojmë përpara. Qysh prej ditës së parë kam thënë që Serbia duhet ta njohë Kosovën. Për Serbinë është një makth që duhet të çlirohet. Na duhet të gjejmë se çfarë dhe ku mund të punojnë së bashku”, ka theksuar Rama, përcjell KTV.
Kryeministri i Shqipërisë është ndalur edhe tek marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore. Sipas tij kjo është diçka pozitiv në raport të lëvizjes së lirë mes dy vendeve, por shtoi se, nëse ai do ta kishte thënë këtë gjë, do t’ia kishin “prerë kokën”.
“Është interesante që ambasadori Grenell nxiti marrjen e vendimit për të rivendosur fluturimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Të gjithë në Prishtinë përgëzuan edhe unë e përgëzova, por po ta kisha thënë unë, po ta kisha thënë, jo bërë ndoshta nuk do isha këtu sepse do më kishin prerë kokën. Pra ka shumë mentalitet që duhet të ndryshojmë”, ka shtuar ai.