Lajme

Quni tregon arsyen pse abstenoi për kandidaturën e Hotit për kryeministër

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Anton Quni, ka njoftuar se ka abstenuar në votimin e kandidimit të Avdullah Hotit, për kryeministër të Kosovës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes ka propozuar edhe emra tjerë për këtë post, porse nga ta me shumicë është zgjedhur Hoti.

Quni thotë se e ka parë të nevojshme nominimin e ndonjë personaliteti tjetër të partisë, siç thotë ai, me qëllim të përmbushjes së nevojës për unifikim të strukturave të partisë dhe votuesve të LDK-së.

“Me këtë rast kam dhënë edhe propozimet e mia, e që ishin më shumë se sa një emër. Në fund, pas debatit brenda partiak që zakonisht zhvillohet në atmosferë dhe kulturë të lartë demokracie dhe çfarë vetëm subjekti i LDK-së e ka të kultivuar, qëndrimet tona u përafruan rreth emrit të profesor Hotit i cili edhe mori besimin e të gjithë të pranieshmëve. Unë kam abstenuar nga votimit, por natyrisht që kam respektuar plotësisht vendimin unanim të Kryesisë dhe e kam uruar të nominuarin duke i dëshiruar sukses“, ka thënë ai.