Lajme

Qëndresa Sadriu-Hoxha, shqiptarja e vetme e zgjedhur në Kantonin e Cyrihut

Sot (e diel) janë mbajtur zgjedhjet për anëtarët e Qeverisë dhe të Parlamentit Kantonal të Cyrihut.

Në zgjedhjet parlamentare kanë marrë pjesë 17 kandidatë me rrënjë shqiptare, kryesisht nga SP (Partia Socialdemokrate) dhe FDP (Partia Liberale).

Në mandatin e mëparshëm ishte zgjedhur deputete Qëndresa Sadriu-Hoxha nga Partia Socialdemokrate, si e para shqiptare në këtë post. Ajo ka kandiduar edhe për këtë legjislaturë dhe është zgjedhur sërish, duke qenë sërish e vetmja shqiptare fituese, me 4659 vota të fituara.

Pas zgjedhjeve, Qëndresa ka folur ekskluzivisht për albinfo.ch. “Jam e kënaqur me rezultatin në të gjithë kantonin, të partisë sime. Jam dhe më shumë e lumtur për rezultatin tim të qëndrueshëm dhe për katër vite të tjera në Parlament. Dëshiroj të falënderoj votuesit dhe të gjithë për mbështetjen e madhe – pa ta puna ime nuk do të ishte e mundur!”, ka thënë ajo për albinfo.ch.

Qëndresa Sadriu ka qenë pjesë e jetës politike në komunën e saj (Opfikon-Glattbrugg) dhe më gjerë qysh si vajzë 19 vjeçe, kur ishte zgjedhur si këshilltare në Asamblenë e Komunës nga radhët e Partisë Socialdemokrate  (SP). Më vonë, në vitin 2018 ajo ka qenë për një mandat edhe kryetare e asamblesë së komunës së saj.