Putini kërkon falje për “incidentin tragjik” të aeroplanit të Azerbajxhanit
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka folur me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për rrëzimin e aeroplanit të linjës ajrore “Azerbaijan” dhe i ka kërkuar falje që ky “incident tragjik” ka ndodhur në hapësirën ajrore ruse.
Vladimir Putini kërkoi falje për faktin se incidenti tragjik ndodhi në hapësirën ajrore ruse, e edhe një herë shpreh ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave, u uron shërim të shpejtë të lënduarve”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Kremlini, raportoi SkyNews.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja ka “indikacione” se Rusia mund të ketë qenë përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit të “Azerbaijan Airlines”.
Mendohet se aeroplani është goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore teksa u përpoq të ulej në Çeçeni përpara se të devijonte në Kazakistan, ku u rrëzua.
Në Azerbajxhan kanë thënë se aeroplani ishte subjekt i “ndërhyrjes së jashtme”, por nuk kanë përmendur Rusinë.