Bota

Britania e Madhe/ Protesta kundër izolimit, arrestohen 100 persona

Qytetarët në Britaninë e Madhe kanë protestuar kundër masave të reja anti-covid.

Mbi 100 persona u arrestuan në një protestë të organizuar në Londër mbrëmjen e djeshme. Protesta u zhvillua në Sheshin Trafalgar, ndërsa arrestimet erdhën pasi qytetarët refuzuan të shpërndahen.

“Prioriteti ynë kryesor, këtë mbrëmje, ka qenë mbajtja e londinezëve të sigurt. Jemi prej tetë muajsh në këtë pandemi dhe sinqerisht nuk mund të ketë asnjë justifikim për njerëzit që në mënyrë të rrezikshme shkelin rregulloret anti-covid” tha komandanti i policisë, Jane Connors.

Prej ditës së djeshme në Britaninë e Madhe ka filluar izolimi, i cili do të zgjasë katër javë. Qytetarëve iu është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi ndërsa dyqanet, baret, restorantet, pubet dhe palestrat janë të mbyllura.

Policia ka njoftuar ndëshkime për të gjithë personat që shkelin e rregullat, ndërsa izolimi do të përfundojë më 2 dhjetor. Këto masa janë marrë në kohën kur Europa po shënon shifra në rritje të të infektuarve me COVID-19./