Protesta në Serbi kundër racizmit ndaj shqiptarëve
Lëvizja kundër dhunës, “Gratë në të zeza” ka mbajtur një aksion protestues me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Racizmit, duke dënuar gjuhën e urrejtjes, intolerancën dhe ksenofobinë kundër komunitetit shqiptar në Serbi, si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës.
Kryetarja e kësaj lëvizjeje, Stasha Zajoviq tha për televizionin N1 se përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Serbisë po fusin terma racistë dhe diskriminues në komunikimin zyrtar dhe se kjo legalizon gjuhën shoviniste dhe raciste të urrejtjes dhe shkel Kushtetutën e ligjet në fuqi.
Si një shembull i nxitjes së intolerancës racore dhe kombëtare, kjo lëvizje theksoi paraqitjet e ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, i cili përdor termin “Shiptari” sa herë që flet për shqiptarët.
“Gratë në të zeza” u bënë thirrje institucioneve kompetente të reagojnë dhe ta sanksionojnë Vulinin dhe të gjithë të tjerët që përhapin diskriminim racor
Aksioni, i cili u zhvillua paqësisht, u sigurua nga anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme.