Bota

Protesta në Gjermani kundër masave me thirrjen “koronavirusi, alarm i rremë”

Me mijëra njerëz janë duke protestuar sot kundër masave kufizuese për shkak të koronavirusit në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin.

Demonstruesit thonë se masat, përfshirë mbajtjen e maskave, i shkelin të drejtat dhe liritë tyre.

Gjermania ka qenë më pak e prekur sesa disa shtete tjera të Evropës, mirëpo rastet janë duke u shtuar sërish, shkruan BBC.

Të premten ky shtet regjistroi më shumë se 900 raste të konfirmuara dhe shtatë të vdekur.

Vlerësimet zyrtare thonë se së paku 1,500 njerëz po marrin pjesë në protestë, që po quhet “Dita e Lirisë”, transmeton KOHA.

Protestuesit po mbajnë pamflete me slogane si “Koronavirusi, alarm i rremë”, dhe “Të detyruar të mbajmë gojëza”.

Thuhet se disa nga protestuesit janë nga e djathta ekstreme, disa janë teoristë të konspiracionit të cilët nuk besojnë në ekzistimin e Covid-19, por se të tjerët janë njerëz të zakonshëm të cilët thjeshtë kundërshtojnë qasjen e qeverisë ndaj pandemisë.

Edhe pse paqësore, në protesta askush nuk po mban masa dhe nuk ka distancim fizik.

“Kërkesa jonë është t’i kthehemi demokracisë. Mjaft me këto ligje, mjaft me këto maska që po na skllavërojnë”, tha një protestuese.

Kufizimet në Gjermani përfshijnë mbajtjen e maskave nëpër shitore dhe transport publik, rregullat e distancimit social dhe kërkesat për higjienë si dhe test i detyrueshëm për udhëtarët që po kthehen nga vendet me rrezik të lartë.

Gjermania, që nga fillimi i pandemisë ka regjistruar 210,000 raste me koronavirus dhe më shumë se 9,000 të vdekur.