Magazina

Promovohet në Beograd libri “Kur shqiptarët dhe serbët duheshin

Më 31 janar në Qendrën e Mediave në Beograd u promovua libri “Kur shqiptarët dhe serbët duheshin”, një bashkëpunim autorësh serbë e shqiptarë. Botimi është realizuar nga e përditshmja “Danas”, ndërsa veprimtaria e prezantimit të librit u organizua nga Lëvizja Europiane për Serbinë, Fondi Europian për Ballkanin.

Libri është një ekskursion në historinë e hershme dhe atë moderne dhe gjurmon e qëmton disa nga personazhet e njohur historikë serbë e shqiptarë që, në këndvështrimin e autorëve, mund të konsiderohen pika kontakti dhe shembuj pozitivë në bashkëpunimin dhe bashkëjetesën e të dy popujve, serbëve e shqiptarëve. Bëhet fjalë për personazhe si Dimitrije Tucoviqi, Marko Miljanov, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Konda shqiptari (i cilësuar çlirimtari i Beogradit), Angjelina, kunata e heroit tonë kombëtar dhe shenjtorja, Jelisaveta Naçiç dhe Llukë Llukaj për të ardhur në ditët tona me Bekim Fehmiun, Faruk Begollin, Petrit Imamin etj.
Prezantimi i librit u bë nga historiani dhe njëherësh një prej autorëve të tij Aleksandar Pavloviç, publicisti Fahri Musliu, antropologu Srgjan Atanovski etj.

Në veprimtari mori pjesë edhe ambasadori Ilir Boçka. Në fjalën e vet ambasadori Boçka e përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti dhe, veçanërisht, botimin e librit, i cili duhet parë si një përpjekje e frytshme për të nxjerrë në pah e vlerësuar ngjarje dhe personazhe nga historia e përbashkët e shqiptarëve dhe e serbëve, çka, u shpreh ai, përfton një vlerë të re në kontekstin bashkëkohor të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit të gjithanshëm mes vendeve tona në rajon, por edhe rrugëtimit të përbashkët drejt Bashkimit Europian.

Artikull i huazuar nga faqja e facebook-ut Ambasada e Shqipërisë në Beograd