Lajme

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ndërpret vizitën në SHBA për shkak të zhvillimeve në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërprerë vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nisur për në Prishtinë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit.

“Zyra e presidentes së Kosovës demanton raportimet se delegacioni përcjellës i presidentes në Nju Jork ishte i madh. Presidentja ka udhëtuar për javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme me vetëm 4 anëtarë të kabinetit të saj”, thuhet në njoftimin e kësaj zyre.

Osmani në këtë udhëtim mori pjesë në një bisedë në Universitetin “Columbia” në Nju Jork, ndërsa zhvilloi takime të ndryshme me homologët e saj nga Bosnja dhe Mali i Zi.

Ndërkohë, sot në Zubin-Potok u dogj ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa ajo në Zveçan u sulmua. Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, qëkur serbët kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.