Presidenti malazez Milo Gjukanoviq: Serbia ishte platformë për interesat ruse në Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në një interviste ekskluzive për KTV-në ka deklaruar se Serbia në një masë të konsiderueshme ka ndihmuar në jetësimin e atyre që ishin interesa ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që ka qenë një lloj platforme për realizimin e interesave ruse në këtë rajon.
Ai tutje ka shtuar se Mali i Zi është aq sa është, por, siç por duke e marrë shembull rastin e Ukrainës, Gjukanoviq ka thënë se tregohet se sa armë e fortë është kur e mbroni shtëpinë tuaj, kur e mbroni lirinë tuaj, vlerat tuaja.
“Kjo përherë është një pozitë shumë më e fuqishme kundruall pozitës së shtetit që krejt këtë e shkakton. Mali i Zi gjatë viteve të shkuara ka treguar se megjithëse në aspektin territorial dhe me popullatë është shtet i vogël, ia ka dalë që t’i mbrojë vlerat e veta dhe ia ka dalë që ta mbrojë të drejtën e vet për zgjedhje të lirë të së ardhmes”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se duhet ditur se Mali i Zi dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të fuqizuara me një intensitet dhe cilësi të re të unitetit evropian.
Sipas tij, kurrë në një afat më të shkurtër nuk ka ndodhur një homogjenizim i këtillë në kontinentin evropian dhe një vendosmëri e tillë përbrenda Aleancës së NATO-s, duke shtuar se beson se sot të gjithë janë më të fuqizuar për ta vazhduar mbrojtjen e vlerave të përnjëmendta si në shtëpitë e tyre, ashtu edhe në shtëpitë e tjera në të cilat këto vlera janë të sulmuara.
“Për këtë arsye edhe e përsëris se Ukraina nuk po e mbron vetëm veten, Ukraina po e mbron sigurinë evropiane, vlerat evropiane dhe prandaj duhet ta kemi këtë parasysh, andaj duhet që ta mbrojmë fuqimisht këtë rezistencë heroike të Ukrainës që të tregohet se modelet anarkike politike që Rusia po i përdor në relacion me Ukrainën megjithëkëtë e paraqesin të shkuarën dhe nuk mund të çojnë deri tek rezultati që Rusia qartazi e dëshiroi në këtë rast. Mendoj që këtë duhet ta shfrytëzojmë të gjithë si një lloj trimërie që të mund ta përforconim edhe sistemin tonë të vlerave, unitetin tonë dhe që në këtë mënyrë të siguronim garanci të një të ardhmeje të qartë dhe të suksesshme të secilit popull dhe shtet evropian”, ka shtuar ai.