LajmeTeknologji

Facebook me ndryshime drastike

Facebook-u do të ridizajnohet dhe fokusi kryesor do të jetë në grupe, si dhe te ruajtja e privatësisë e karakteristika të tjera, ka konfirmuar kompania.

Pamja e re dhe numri i përditësimeve të tjera ka ardhur për shkak të tentimit nga Facebook për të dëshmuar privatësinë dhe që ka siguri, pas një numri të madh të skandaleve që e kanë prekur atë, transmeton Koha.net.

Përveç ridizajnimit Facebook ka konfirmuar se do të bëjë përditësime të reja edhe në Messenger dhe WhatsApp. Përfshirë këtu edhe ndryshimet në bisedat private, të cilat kompania thotë se s’do të mund t’i lexojë.

Facebook thotë se ridizajnimi i saj do ta bëjë më të lehtë që të gjeni grupe dhe karakteristika të tjera në faqe.

E gjithashtu Facebook do të ketë një pamje krejtësisht të re, siç thotë Mark Zuckerberg madje edhe ngjyra e kaltër s’do të jetë më në aplikacione, por edhe as në uebfaqe.

“Edhe ikona e Facebook është ndryshuar që ta bëjë atë më të gjallë dhe më moderne”, ka thënë Zuckerberg.

E përveç ridizajnimit fokusi i Facebook-ut do të jetë në grupe.

“Njerëzit kanë ardhur në Facebook gjithmonë për t’u lidhur me miqtë dhe familjen, por pas një kohe është bërë më shumë se aq – është bërë një vend për t’u lidhur me njerëzit që ndajnë interesat dhe pasionet tuaja”, thotë Facebook në një njoftim. “Sot po bëjmë ndryshime që i vendosin grupet në qendër të Facebook dhe ndajmë mënyra të reja se si Facebook mund të ndihmojë njerëzit të bashkohet duke qenë offline”.

Ndryshimi do të arrijë menjëherë në aplikacionin Facebook, derisa versioni i ri i desktopit do të vijë në “muajt e ardhshëm”, ka thënë Facebook.