Presidenti i Serbisë Vuçiq, u bën thirrje serbëve që të bashkohen në zgjedhjet e 17 tetorit në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu është drejtuar serbëve në Kosovë me një mesazh, duke kërkuar që në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të jenë të bashkuar.
Vuçiq tha se “serbët duhet të jenë të bashkuar, të dalin në zgjedhje në numër sa më të madh dhe të luftojnë për të drejtat e tyre, për vetën, për vendin e tyre, që të përfaqësohen institucionalisht, kur është e nevojshme, të jenë në gjendje të reagojnë në institucione në mënyra të ndryshme dhe të jenë pranë popullit të tyre në komunat në jug të Kosovës”, përcjell Telegrafi.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lista Serbe fitoi të dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë udhëhiqen nga Lista Serbe.
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit të drejtë vote kanë 1.8 milion qytetarë të Kosovës, që do të zgjedhin 38 kryetarët e rinj të komunave dhe anëtarët e asambleve komunale.