Presidenti i Libanit: Shkaqet e shpërthimit masiv ende nën hetim
Presidenti i Libanit tha të premten se një hetim mbi shpërthimin e së martës, më i madhi në historinë e Bejrutit, do të përcaktojë nëse ai ishte shkaktuar nga një bombë apo ndonjë ndërhyrje tjetër e jashtme.
Kërkimet për të zhdukurit janë intensifikuar, ndërkohë që ekipet e shpëtimit vazhdojnë gërmojnë nën rrënoja, me shpresën për të gjetur të mbijetuar pas shpërthimit që la pas 154 të vdekur dhe shkatërroi një pjesë të madhe të qytetit.
“Shkaku nuk është përcaktuar ende. Ekziston një mundësi e ndërhyrjes së jashtme me ndonjë raketë apo bombë ose ndonjë akt tjetër”, tha Presidenti Michel Aoun në komentet e së premtes.
Sipas tij po shqyrtohet edhe mundësia që shpërthimi të ketë ndodhur nga pakujdesia apo si pasojë e ndonjë aksidenti.
Përpjekjet për rimëkëmbje pas shpërthimit masiv
Çernobili i Libanit, kështu po përshkruhet nga disa njërëz shpërthimi masiv që tronditi Bejrutin. Treqind mijë njerëz humbën shtëpitë e tyre dhe një numër spitalesh gjithashtu u goditën rëndë. Një nga shenjat e mbështetjes ndërkombëtare ishte një vizitë nga Presidenti Francez Emmanual Macron, i cili i shkoi nga afër lagjet më të dëmtuara të kryeqytetit libanez.
Bejruti, dikur i njohur si Parisi i lindjes, përsëri duket si një zonë lufte, i shkatërruar nga një shpërthim që është përshkruar si gati-bërthamor për nga intensiteti i tij.
Të rinjtë kanë filluar të pastrojnë rrugët nga copëzat e xhamave të thyera të dritareve, për të lehtësuar udhëtimin e njerezve drejt shtëpive të tyre dhe përpjekjet për të gjetur personat që akoma janë në listën e të zhdukurve. Dhjetra njerëz thuhet se janë akoma nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Deri më tani, mbi 130 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 5000 të tjerë janë plagosur.
“Ne tashmë kishim shumë probleme, ekonomia ishte në gjendje të rëndë, lira libaneze kishte rënë shumë ndaj dollarit, koronavirusi dhe tani këto shpërthime”, tha studentja Dalia.
Të plagosurit u dërguan me shpejtësi në spitale, por edhe ato u dëmtuan rëndë. Spitali universitar i Shën Xhorxhit, një nga spitalet më të mëdha të qytetit, evakuoi qindra pacientë. Disa nuk mund të shpëtoheshin. Disa vdiqën, përfshirë një numër infermierësh.
Spitali tashmë është duke apeluar për ndihmë për rindërtim dhe rifillim të punës.
“Ne kemi nevojë për gjithçka. Ne kemi dhënë detaje se si mund të na gjeni në internet. Çdokush mund të ndihmojë”, tha George Saad, Menaxher i Spitalit të Shën Xhorxhit.
Ndërsa shenjat tregojnë për një shpërthim të shkaktuar nga një sasi e madhe e nitrat amonit të ruajtur në mënyrë të papërshtatshme në një depo, pavarësisht paralajmërimeve kundër këtij veprimi, aktivistët po bëjnë thirrje për një hetim të pavarur.
Pas muajve të demonstratave antiqeveritare, mosbesimi ndaj udhëheqjes së vendit vazhdon të jetë i pranishëm. Presidenti i Francës të enjten u prit nga thirrje të kritikëve kundër politikanëve të Libanit.
Presidenti francez Emmanuel Macron ofroi ndihmë dhe i bëri thirrje elitës qeverisëse të Libanit që menjëherë të fillojë zbatimin e reformave të mirëfillta.
“Unë dua të jem në gjendje t’ju dëgjoj, kuptoj dhe të ndihmojë në organizimin e ndihmës dhe mbështetjes ndërkombëtare për Bejrutin dhe popullin e Libanit.”
Nga sulmet izraelite deri tek trupat tokësore siriane dhe lufta civile e viteve 1980, libanezët kanë përjetuar katastrofa më shumë se një herë.
Por asnjë përvojë nuk mund të kishte përgatitur njerëzit për këtë.
Përsëri, banorët e këtij qyteti po përpiqen të rimëkëmben.