Politikanët e Luginës iu drejtuan me shkresë publike shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës
MEKANIZMA PËR MBËSHTETJE KONKRETE TË LUGINËS SË PRESHEVËS!
Në një iniciativë të përbashkët, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa bashkë me kryetarin e komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe deputetin popullor, Fatmir Hasani, si përfaqësues institucional të Luginës së Preshevës, sot iu drejtuan zyrtarisht me shkresë shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Pas thirrjes së seancës së jashtëzakonshme parlamentare për të diskutuar kërkesat e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, është kërkuar formimi i mekanizmave për mbështetje – me projekte konkrete – jetike për ruajtjen e substancës kombëtare në Luginën e Preshevës
Duke qenë se Qeveria e Republikës së Serbisë nuk tregon realisht gatishmëri dhe vullnet politik për t`i zgjidhur sfidat me të cilat po përballen e shqiptarët e Luginës së Preshevës, që në vazhdimësi po refuzon të jetësoj tri marrëveshjet që i ka firmosur me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës më vitet 2001 (Marrëveshjes së Konçulit), 2009 (Marrëveshja për ristrukturimin e Trupit Koordinues) dhe 2013 (Masave urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve “Plani 7 pikësh”) me garanca ndërkombëtare, prezenca e Republikës së Kosovës është qenësore për Luginën e Preshevës, theksuan në kërkesë kryetari i KKSH-së, Mustafa kryetari komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe deputeti popullor, Fatmir Hasani.