Lajme

Vetëvendosje “përgatitet” për protesta

Një aktivitet si i para dy javësh, do të mbahet me më shumë persona këtë të enjte. Por për dallim nga hera e parë, tani Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar se qëndron prapa organizimit të, siç e quajnë ata, performancës.

Në një përgjigje me shkrim nga kjo parti thonë se organizimi i “provës së dytë” për protestë do të mbahet pas kërkesës së qytetarëve lidhur me zhvillimet në vend dhe pritet të marrin pjesë deri në 5 mijë persona, raporton KOHA.

“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarë e aktivistë, ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë, por në përmasa më të mëdha. Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3 500 deri në 5 000 persona”, thuhet në përgjigjen e Vetëvendosjes.

Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se janë lajmëruar me kohë për organizimin e së enjtes, duke shtuar se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për mbarëvajtjen e saj.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim. Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetin publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e Policisë.

Prova e dytë për protestë e planifikuar të fillojë të enjten nga ora 17:00 pritet të mbahet në sheshet kryesore të kryeqytetit.