Të fundit

Haradinaj-Stublla“Serbia po e pengon Kosovën që të kujdeset për Luginën e Preshevës”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dalë me një qëndrim sa i përket vaksinimit të qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë.

Ajo ka thënë se Vuçiq nuk po arrin të shkëputet nga profesioni i tij i parë – roli i propaganduesit e mohuesit të fakteve.

“Propaganda është mjeti i tij i preferuar me të cilën ai tenton të hedhë mjegull sa herë që zihet ngushtë e ballafaqohet me të vërtetën. Kështu ka vepruar edhe dje, teksa paska reaguar ndaj deklaratës sime për futjen ilegale e në mënyrë të kontrabanduar të ‘vaksinave’ në territorin e Republikës së Kosovës” ka thënë ministrja e jashtme.

Ajo ka thënë se në vend se të përgjigjet për shkeljen e marrëveshjeve të arritura, ai në rolin e tij të natyrshëm pyet se ‘cilën pikë të marrëveshjes e ka shkelur Serbia?!’

“Vetëm sa për rikujtim, edhe në webfaqen e qeverisë së tij i ka të botuara marrëveshjet e Brukselit, përfshirë njoftimin zyrtar për arritjen e marrëveshjes për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale në 2015. Ajo marrëveshje saktëson se produktet farmaceutike që vijnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas – duhet t’i nënshtrohen procedurave të regjistrimit/aprovimit tek autoritetet kompetente shtetërore dhe në asnjë formë nuk mund të kontrabandohen”, thekson Haradinaj-Stublla.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, thekson se ndalimin e kontrabandës dhe ndërhyrjeve ilegale në Kosovë, i ka të sanksionuara edhe në marrëveshjet tjera, përfshirë atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe në kapitullin 35 të negociatave me BE-në.

“Dhe jo vetëm kaq! Përmes strukturave paralele, Serbia pengon zbatimin edhe të shumë marrëveshjeve tjera, duke filluar me njohjen reciproke të diplomave, qarkullimin e lirë në komunat kosovare veriore – saktësisht hapjen e Urës së Ibrit, pengon tregtinë e lirë përmes barrierave jo-tarifore, dhe lëvizjen e lirë përmes flet-arresteve të rrejshme e arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës, duke keqpërdorur kështu edhe Interpolin”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Haradinaj-Stubllës.

Ajo ka thënë se këto veprime të pandërprera bien në kundërshtim edhe me frymën e marrëveshjes së Washingtonit, për të cilën u angazhua lidershipi më i lartë amerikan.

“E kur flasim për përkujdesje të minoriteteve, duhet të bëhet e qartë se Serbia Nuk ka as kujdesin minimal human e shtetëror ndaj shqiptarëve në Serbi, duke i diskriminuar sistematikisht dhe në mënyrën më barbare të mundshme, e po ashtu duke penguar Kosovën që të kujdeset për Luginën e Preshevës”, thuhet tutje në këtë deklaratë.

Sipas saj, përderisa Kosova garanton me Kushtetutë të drejtat më afirmative për pakicat në të gjitha shtetet e rajonit, Serbia implementon vendimin famëkeq të pasivizimit të adresave, e për rrjedhojë e pamundësojnë kujdesin shëndetësor, punësimin, zhvillimin ekonomik, dhe jetën për familjet dhe rininë shqiptare atje.