Policia e Kosovës përgënjeshtron raportimet se forcat serbe kanë hyrë në Kosovë
Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare, vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë dhe parandalim të krimit transkufitar
Kosova
Policia e Kosovës përgënjeshtron raportimet se forcat serbe kanë hyrë në Kosovë
“Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare, vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë dhe parandalim të krimit transkufitar”
E shtunë, 17 Shkurt 2024 – 19:15albinfo.ch
Foto FB: NATO Kosovo Force – KFOR
Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e sotme në media se forcat serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës, përkatësisht se janë parë në Bervenik të Podujevës, teksa ka njoftuar se KFOR-i dhe autoritetet policore serbe kanë realizuar patrullim të përbashkët në zonën kufitare, transmeton albinfo.ch.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë se pas raportimeve janë ndërmarrë veprime konkrete duke trajtuar këtë informacion
Lidhur me informacionin e publikuar në disa media/portale, ku thuhej se një qytetar ka parë forcat serbe se kanë hyrë në territorin e Kosovës diku në zonën kufitare, në fshatin Bervenik të komunës së Podujevës, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë veprime konkrete duke trajtuar këtë informacion”, ka thënë ai për Telegrafin.
Ndër të tjera, ai ka njoftuar se bazuar në informacionet zyrtare, bëhet fjalë për patrullime të përbashkëta që KFOR-i me kontingjente të caktuara, realizon me autoritetet policore serbe, ashtu siç realizon edhe patrullime të përbashkëta me njësitet relevante të Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës me njësitet relevante, përfshirë ato kufitare, vazhdon patrullimet policore në ruajtje të rendit kushtetues, ofrim të sigurisë dhe parandalim të krimit transkufitar”, ka shtuar Kelani