Bota

Personi që mori pjesë në konferencë bashkë me Trump rezulton pozitiv me koronavirus

Një person që ishte pjesëmarrës në një tubim në Maryland në të cilin të pranishëm ishin edhe presidenti amerikan Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence, ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Unioni i Konservatorëve Amerikanë, i cili organizoi tubimin, tha në një deklaratë se personi i prekur nga virusi nuk ka pasur asnjë ndërveprim me Trump dhe Pence.

Në deklaratë thuhet se administrata Trump është njoftuar për rastin.

Trump mori pjesë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) më 29 shkurt.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham tha se Trump dhe Pence nuk janë takuar me pjesëmarrësin e infektuar dhe se janë marrë të gjitha masat për familjen Trump dhe Shtëpinë e Bardhë.

Ndryshe, deri më tani, në SHBA jetën kanë humbur 19 persona nga koronavirusi, i cili është përhapur në 30 shtete të SHBA-së.

I zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor, virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), virusi ka marrë jetën e mbi 3.500 njerëzve globalisht, ndërsa ka infektuar mbi 100 mijë vetë.

OBSH, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.