“Paraja” hap ditët e komedisë shqiptare në Preshevë
Situata e pandemisë i ka tkurrur aktivitetet kulturore edhe në Preshevë.
Pas nëntë muajve pushim të detyrueshëm, Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica” i ka rihapur dyert për publikun.
Një numër i vogël i shikuesve, duke iu nënshtruar masave mbrojtëse ndaj covid 19, të mërkurën mbrëma përcollën mbrëmjen hapëse të ngjarjes Ditët e Komedisë Shqiptare.
“Paraja” me tekst të shkrimtarit anglez Ray Cooney dhe regji të Ekrem Sopit, ka hapur programin e edicionit më të ri të festivalit në të cilin tash gjashtëmbëdhjetë vjet mblidhen shfaqjet e zhanrit komedi.
Paraja si fenomen që përdoret për ndërrimin e qëndrimeve e karaktereve të disa individëve është trajtuar në këtë komedi.
Gani Veseli, Egzona Salihu, Gjelbrim Emini, Fatlume Bunjaku, Fitim Saqipi, Artan Ibishi, Valon Nuhiu dhe Kushtim Asllani janë aktorët që luajnë në shfaqjen “Paraja”.
Edicioni i 16-të i Festivalit “Ditët e Komedisë shqiptare” do të përmbyllet të hënën më 9 nëntor me ndarjen e çmimeve./koha