Teknologji

Ora e mençur e “Oppo”-s, me xham tredimensional

Kompania “Oppo” është duke e përgatitur orën e mençur “Oppo Watch”. Sipas zëvendësshefit të kompanisë, Brian Shen, pajisja e re e dorës do ta ketë një ekran të lakuar dhe xham tredimensional. Shen ka thënë po ashtu se modeli i fundit i kompanisë do të jetë elementi që do t’i ndryshojë rregullat e lojën në biznesin e orëve të mençura.

Bazuar në fotografitë e para të publikuara, pajisja e re e “Oppo”-s është goxha e ngjashme me orën e gjigantit amerikan “Apple Watch”. Kompania kineze ka vendosur që ta përdorë në këtë pajisje një kurorë digjitale që nuk do t’i ketë butonat anash. Përveç orës së mençur, “Oppo” në fund të muajit shkurt pritet që të prezantojë edhe telefonin “Find X2”, shkruan sot Koha Ditore.

Telefoni i ri pritet që të ketë një ekran QHD. Veçori e këtij telefoni është kamera e fuqishme prej 48 megapixelësh. Kjo kamerë është e kompanisë “Sony” dhe posedon sensorë e lensë të sofistikuar për zmadhimin e pamjes. E, aplikacioni “Pandora” ka shtuar një veçori që orët e mençura android nuk do ta kenë.

Ky aplikacion ka mundësuar se orët “Apple” të mund të bëjnë manovrime të pavarura nga telefoni. Deri më tani, çdo orë e mençur duhej të ishte e lidhur me telefon për të kryer disa manovrime, por me këtë aplikacion, përdoruesit e orës do të mund të dëgjojnë muzikë pa pasur nevojë që të jenë të lidhur me pajisjen telefonike. Ky aplikacion bën të mundur shkarkimin e këngëve në orë të mençur, derisa përdoruesi mund të dëgjojë muzikë edhe kur telefoni është në distancë.