Nuk ka numra për ta rrëzuar Qeverinë e Zaevit
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka nisur seancën për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, por seanca është ndërprerë disa herë me kërkesë të opozitës, pasi që nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta rrëzuar Qeverinë.
VMRO-DPMNE, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si dhe Lëvizja Besa, besonin se kanë siguruar votat e 61 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, deputeti Kastriot Rexhepi ka thënë se vendimin për të mos marrë pjesë në seancë e ka marrë për të mos i penguar, sipas tij, sinjalet për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Dy deputetët e tjerë të kësaj partie janë për mocionin e mosbesimit të qeverisë.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në një prononcim për mediat ka hedhur dyshime mbi rrëmbimin e deputetit Katriot Rexhepi.
“Nuk kam asnjë komunikim me deputetin. Kam dyshime të bazuara se deputeti mund të jetë i ndaluar përkundër vullnetit të tij. Ai pa vullnet e ka këtë qëndrim. Mbetem pas këtij qëndrimi gjithnjë derisa ai vetë nuk e pohon gojarisht. Nuk kemi informata se ku gjendet. Herën e fundit kemi komunikuar gjatë ditës së djeshme, dhe nuk kam pasur ndonjë sinjal që ai do të vepronte ndryshe”, ka thënë Kasami duke shtuar se në rast se do të konfirmohet ky qëndrim i Rexhepit, do të mblidhen organet e partisë dhe do të marrin vendim lidhur me përjashtimin ose jo të Rexhepit nga partia.
Ai ka theksuar se partia e tij qëndron e palëkundur për rrëzimin e, siç është shprehur, regjimit, i cili, sipas tij me veprimet e fundit tregoi se është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbetur në pushtet.
Vendimi i deputetit të Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, e ka bllokuar punën e Kuvendit, pasi mungon kuorumi prej 61 deputetëve për vazhdimin e seancës. Deputetët e partive në pushtet nuk marrin pjesë në seancë, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili për të mos i siguruar numrat opozitës, drejtimin e seancës ia ka kaluar nënkryetarit Fadil Zendeli, që është nga radhët e opozitës.
Por, sikur Zendeli, ashtu deputetët e tjerë të opozitës kërkojnë që me seancën të udhëheqë kryetari i Kuvendit, pasi nënkryetari e udhëheq vetëm në situata të caktuara, kur mungon kryeparlamentari.
Para nisjes së seancës të gjitha partitë opozitare besonin se i kishin numrat e nevojshëm për mocionin e mosbesimit.
“Të gjitha subjektet politike janë deklaruar për pozicionet e tyre dhe ne presim që konform nënshkrimeve dhe deklaratave që kjo qeveri të bie”, deklaroi Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.
Edhe deputeti i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, tha se beson se do të kalojë mocioni i votëbesimit.
“Sot (e enjte) do të bie qeveria, e për formim të shumicës së re ka kohë”, u shpreh Apasiev.
Një deputet i Partisë Alternativa që fillimisht kishte refuzuar të jetë pjesë e nënshkrimeve ku bën pjesë edhe “E Majta”, mbetet në qëndrimin se do të votojë mocionin e mosbesimit, por nuk do të jetë pjesë e ndonjë nisme për qeveri të re nëse aty do të ishte e “E Majta”.
“Ne asnjëherë nuk do të jemi në një listë të përbashkët, në një tavolinë të përbashkët me njerëz, të cilët janë antishqiptarë, anti-NATO, anti-BE, anti-Kosovë dhe në asnjë rast nuk lejojmë që të jemi pjesë ndonjë shumice me ta. Ne nuk do të jemi pjesë as e listës për mandatin nëse aty qëndron “E Majta”, deklaroi deputeti i Alternativës, Skënder Rexhepi.
Por, partitë e shumicës vlerësojnë të kundërtën se shumica është në anën e tyre dhe se e gjitha procedura do të jetë demokratike.
“Sot do të ndodhë demokracia që është në përfitim për shoqërinë tonë dhe për të gjitha proceset që ndodhen para nesh. Unë do të votoj për mbështetjen e qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev”, ka deklaruar deputeti Goran Milevskim nga partia Liberal Demokrate që është pjesë e qeverisë.
Sipas Kushtetutës, votëbesimi ndaj qeverisë duhet të përfundojë në të njëjtën ditë. Nëse opozita siguron 61 vota kundër kabinetit të kryeministrit (Zaevit), atëherë qeveria është e detyruar të japë dorëheqje brenda 24 orëve, pas çka fillon afati dhjetëditor për presidentin e shtetit (në këtë rast Stevo Pendarovski), që t’ua japë mandatin për formimin e qeverisë së re partive që do të konfirmojë se kanë të paktën 61 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, nëse opozita nuk arrin të rrëzojë qeverinë, atëherë në 90 ditët e ardhshme nuk do të mund të paraqesë mocion të ri mosbesimi ndaj qeverisë, nëse së paku 61 deputetë nuk paraqesin iniciativë.
Partitë në pushtet, ndërkohë, besojnë se opozita nuk do të arrijë të votojë për rrëzimin e Qeverisë Zaev.
“Partitë në pushtet nuk do të lejojnë kthimin pas të shtetit. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së, pasi organet e partisë vendosën shtyrjen e dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev.
Partitë e koalicionit qeverisës, të mërkurën në mbrëmje kanë mbajtur një mbledhje konsultuese, detaje nga e cila nuk janë dhënë, por mediat lokale njoftojnë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në këtë takim është shprehur optimist se “Qeveria nuk do të bie të enjten në votimin për mosbesimin në kuvend, pasi që shumica është me forcat progresive në kuvend”.
Nisma e opozitës ka pasur rezultatin e saj të favorshëm në zgjedhjet lokale, por para së gjithash dorëheqjen e paralajmëruar të kryeministrit Zoran Zaev.
Kreu i qeverisë natën e 31 dhjetorit tha se e merr përgjegjësinë për dështimin në zgjedhje dhe paraqiti dorëheqjen nga posti i kryeministrit, por edhe nga drejtimi i partisë.
Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për herë të parë u zgjodh më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016.
Gjatë këtij mandati, Zaevi mori përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues në “Maqedoni e Veriut”, e cila deri para Marrëveshjes së Prespës së arritur më 17 qershor 2018, quhej “Republika e Maqedonisë”.
Pavarësisht kritikave të shumta në opinion lidhur me këtë marrëveshje, si dhe negociatave më pas me Bullgarinë për Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që po ashtu konsiderohet si e dëmshme për interesat kombëtare maqedonase, Zoran Zaev, fitoi edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare, që u mbajtën në qershor të vitit 2020./REL