BoksSporti

“Nuk i kam pranuar ofertat e Serbisë” — Boksieri shqiptar nga Lugina gati për titullin kampion bote

Shefat Isufi është një tjetër boksier shqiptar që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme. I riu nga Lugina e Preshevës, nisi fillimet në boks që kur ishte një fëmijë, shkruan ABCnews.al. Hapat e parë si amator i mori në Kosovë. Pas largimit në Gjermani nisi të merret me boks profesional duke u bërë shumë shpejt një kampion në arenën ndërkombëtare.

Në një intervistë për”Abc-ja e mëngjesit”, boksieri rrëfeu vështirësitë që ka hasur gjatë fillimeve të karrierës. Ndër të tjera, ai u ndal dhe te ndeshja që mbajti në Serbi, ku shënoi një tjetër fitore. Duke folur për emocionet që përjetoi, Isufi tha se ka punuar fort për këtë ndeshje pasi nuk donte që të dilte kurrsesi humbës.

Boksieri tha se ka marrë oferta nga Serbia por nuk ka pranuar. “Ka qenë një ndeshje krejt ndryshe në Serbi. Kur jam ngritur në ringun serb, jemi munduar që të ngremë ngjyrat tona kuq e zi. Nuk e lejuan por u veshëm kuq e zi. Nuk iu ka pëlqyer aq shumë por më ka ardhur mirë që të prezantoj ngjyrat tona.

Kur më jepet shansi të prezantoj flamurin kuq e zi e bëj por kur nuk më lejohet duhet të ngre flamurin e Gjermanisë. Ka pasur ndeshje që i kam anuluar për shkak të flamurit. Duke i ditur raportet me Serbinë nuk doja të dilja si humbës. Jam përgatitur maksimalisht por kam pasur dhe shumë mbështetje.”, tha ai.

“Kam pasur oferta nga Serbia, dhe në olimpiadë, nuk kam pranuar. Kanë qenë oferta shumë të mëdha për të boksuar në olimpiadë. Është një ëndërr për mua por nuk kam pranuar për shkak të Serbisë.”, shtoi më tej boksieri.