Njëzet persona të plagosur në protestat në Serbi
Trembëdhjetë policë dhe shtatë civilë u plagosën gjatë trazirave të së martës mbrëma në Beograd, për shkak të paralajmërimeve për orë policore.
Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, të gjithë të plagosurit u transportuan në Akademinë Mjekësore Ushtarake.
Protestuesit, mbi 1,000 sish, u mblodhën në qendër të Beogradit, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi rikthimin e orës policore në fundjavë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.
Përleshjet shpërthyen pasi një grup protestuesish u përpoq të hyjë në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë, duke bërë që policia të hidhte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Turma pranë hapësirës së kuvendit u shpërnda rreth orës 1:30 pas mesnate.