KryesoreLajme

Një grup i arbëreshëve të Kroacisë vizitojnë Kosovën, cilësohet si dëshmi e miqësisë

Nga Kroacia për vizitë në Kosovë, ka ardhur një grup i arbëreshëve.

Studentë e nxënës kanë vizituar Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, ku u pritën nga Ipeshkvi i Kosovës Don Lush Gjergji, i cili i informoi për së afërmi me infrastrukturën e saj.

Drejtoresha e shkollës fillore të Arbanasit të Zarës, Jasmina Matërsiq, tha se kjo vizitë është shumë e rëndësishme dhe tregon lidhjet miqësore mes shqiptarëve dhe kroatëve.

Në të gjithë Dalmacinë, vetëm në shkollën në Kërstiq, u organizua mësimi i gjuhës shqipe. Në vjeshtë, shkollën e vizitoi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe me ftesën e tij ne i bëmë nder që ta vizitojmë Shqipërinë dhe Kosovën”, ka thënë Matërsiq.

Matërsiq tha se miqësia mes Kosovës dhe Kroacisë po dëshmohet edhe përmes vizitës së 22 nxënësve arbëreshë që mësojnë shqip në Kroaci.

Arbëreshët, më pas, qëndruan edhe në Ministrinë e Diasporës, ku u pritën nga zëvendësministri i Diasporës, Afrim Bekteshi, i cili tha se shpreson se këto vizita do të shërbejnë për të krijuar lidhje të ngrohta me Kosovën.

Kurse, përfaqësuesi i arbëreshëve të Kroacisë, Vesel Lekaj, tha se në këtë grup që po e viziton Kosovën përfshihen drejtorë shkollash, nxënës e mësimdhënës të shumtë të shkollave arbëreshe që veprojnë në Kroaci.

Arbëreshët, në fund, e vizituan edhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, me dëshirën për t’u njohur nga afër me historinë e vendit.