Një fushatë e re për copëtimin e Kosovës
Në prag të Samitit të Berlinit sërish ka folur zëdhënësi i përkrahësve për rrudhjen e territorit të Kosovës, Johannes Hahn. Qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë çdo komunikim me këtë komisionar (në fakt komisar!) të BE-së për shkak të politikës së tij tërësisht proserbe dhe të rrezikshme. Nuk duhet të bisedohet me një politikan që ka mandat vetëm edhe disa javë. Pasi të largohet nga posti i komisionarit, Hahn mund të bëhet këshilltar i Aleksandër Vuçiqit.
Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë dhe kur Armata Popullore e atij vendi (APJ) u shndërrua në ushtri serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, në Beograd erdhën tre ministra të Jashtëm të vendeve të BEsë: Jacques Poos i Luksemburgut, Gianni de Michelis i Italisë dhe Hans Van der Broek i Holandës.
Ata arritën në kryeqytetin e Jugosllavisë më 4 prill 1991 dhe takuan kryeministrin Ante Markoviq dhe ministrin e Jashtëm, Budimir Lonçar. Pastaj, Jacques Poos tha se tani ka ardhur «ora e evropianëve».
Për ta kuptuar të gjithë, Poss shtoi: «Kjo s’është ora e amerikanëve». Me fjalë të tjera: ne evropianët i zgjidhim problemet tona vetëm, pa ndihmën e Washingtonit. Që nga viti 1991 asnjë problem i Ballkanit nuk është zgjidhur pa amerikanët.
Evropianët kanë qenë të përçarë, të paaftë, të pozicionuar gabimisht, shpesh proserbë. Serbocentrizmi, ka shkruar publicisti i madh zviceran Viktor Meier, është një lëngatë evropiane. Gati tri dekada pas deklaratës absurde të Jacques Poos, tani ka folur Johannes Hahn, komisionar i BE-së për politikë të fqinjësisë dhe zgjerimit.
Në një intervistë dhënë gazetës «Washington Post», Hahn nuk e fshehu gëzimin për largimin e Amerikës nga Ballkani. Kjo ikje nuk shkakton asnjë problem, tha politikani austriak, sepse prania amerikane, sipas tij, ka qenë e lidhur me intervenimin e NATO-s, por tani – edhe këtë e tha Hahn – «situata ka ndryshuar», tani Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq sa herë që ka ndonjë tension në terren «kapin telefonin dhe flasin me njëri-tjetrin».
Deklaratë më qesharake se kjo nuk është dëgjuar nga viti 1991, kur Jacques Poos u tha amerikanëve se Evropa nuk ka nevojë për ta, sepse është e aftë t’i zgjidhë problemet vetë. Nëse ndonjë gazetar do të ketë fatin që pas disa dekadave të shohë regjistrimet e bisedave telefonike (dhe jo vetëm telefonike) mes Vuçiqit dhe Thaçit, ai do të kuptojë ndoshta edhe arsyet e arrestimit të njëfarë Marko Gjuriqit, tërheqjes së tij zvarrë nëpër Prishtinë, lirimin e tij teatral dhe shumë e shumë inskenime të tjera, që do të shërbenin për krijimin e terrenit për «korrigjimin e kufijve të Kosovës».
Në bisedë me gazetën amerikane «Washington Post», Hahn tha se mund të diskutohet për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Me këtë deklaratë Hahn tenton të ringjallë debatin për copëtimin e Kosovës pasi muajve të fundit ithtarët e kësaj ideje ishin në defensivë.
Dhe kjo deklaratë nuk është e rastësishme. Në fund të muajit në Berlin do të mbahet një samit me liderët e Ballkanit; atje do të shkojnë edhe presidenti dhe kryeministri i Kosovës: i pari qe gati një vit flet për «korrigjim të kufijve», bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovë – etj., etj., ndërsa i dyti kundërshton çdo prekje të kufijve.
Në prag të samitit të thirrur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, Hahn dëshiron ta nxjerrë nga gropa idenë e copëtimit të Kosovës. Merkel është kundërshtarja më e fuqishme dhe më serioze e ndarjes së Kosovës. Hahn e di se shumica e popullsisë së Kosovës është kundër ndarjes së Kosovës. Kundër janë shumica e partive politike. Kundër është Kuvendi i Kosovës. Kundër janë pjesa më e madhe e pakicave, me përjashtim të kontrabandistëve të mallrave dhe krerëve të mafisë në veri të Kosovës. Kundër janë shumica e mediave kosovare, me përjashtim të papagajve të paguar.
Kjo furi e Hahnit për ndarjen e Kosovës është sinjal i qartë se përkrahësit e varrosjes së Kosovës së 17 shkurtit janë në panik. Për idenë e ndarjes së Kosovës janë investuar shumë miliona viteve të fundit. Kemi parë se si ata që dikur në librat e tyre paralajmëronin se po u nda Kosova, Ballkani rrëshqet në kaos, tash thonë: jo, jo, bën edhe ndryshim i kufijve të Kosovës. Të tillët flasin nëpër forume të hapura e të mbyllura, shkruajnë në media prestigjioze në favor të ndarjes, llomotisin në Twitter.
Pas deklaratës skandaloze të Hahnit, Qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë çdo komunikim me këtë komisionar (në fakt komisar!) të BE-së për shkak të politikës së tij tërësisht proserbe dhe të rrezikshme. Nuk duhet të bisedohet me një politikan që ka mandat vetëm edhe disa javë. Pasi të largohet nga posti i komisionarit, Hahn mund të bëhet këshilltar i Aleksandër Vuçiqit. Kosova nuk duhet të lejojë të poshtërohet e torturohet nga një politikan i klasës së dytë si Johannes Hahn, ish-president i një konglomerati kazinosh dhe i dyshuar si plagjiator. Revista austriake «Profil» e ka quajtur grupin e kazinove Novomatic «koncernin më të diskutueshëm të Austrisë», me të cilin është marrë edhe drejtësia austriake. Hahn mund të luajë poker në kazinotë e tij të dikurshme, por jo me fatin e Kosovës.